Maqedoni
Janevska: Deri më 25 janar, gati Ligji për arsim të mesëm
09.01.2025 17:20
Propozim-ligji për arsim të mesëm do të jetë gati deri më 20 apo 25 janar...

Propozim-ligji për arsim të mesëm do të jetë gati deri më 20 apo 25 janar, paralajmëron ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Ajo thotë se propozim-ligji po përgatitet në koordinim me partnerët e koalicionit para se ai të dorëzohet në Kuvend.
Janevska nuk e sheh gabim nëse hiqet neni që parashihte që në fillim dhe në fund të vitit shkollor, apo gjatë manifestimeve, të intonohet himni shtetëror, pasi askujt në vend nuk i ndalohet dëgjimi i himnit shtetëror.
“Nuk do të lejojmë që politika t’i ndërpresë proceset në arsim, nga këtu vlerësoj që nuk është gabim i madh që të tërhiqet ai nen, posaçërisht pasi në këtë shtet, askush nuk mund t’ia ndalojë askujt që ta dëgjojë, intonojë dhe këndojë himnin, atyre që duan. Unë sinqerisht shpresoj që në të ardhmen, të gjithë do të ndihemi si qytetarë të një shteti të vetëm dhe të gjithë do të respektojmë simbolet e shtetit tonë të përbashkët dhe se kjo nuk do të jetë problem.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Janevska njëherit ka vlerësuar se në vend ka gjenerata të nxënësve 15-vjeçarë, që kanë 3 vjet vonesa në nxënie të diturisë, në krahasim me bashkëmoshatarët në Evropë.
ERSAN PAJAZITI
