Maqedoni
Tetovë, Kasami e Mexhiti flasin për investimet kapitale
09.01.2025 17:39
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti...

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, kanë inspektuar punimet në bulevardin “Video Smilevski – Bato”. Kasami tha se investimet kapitale këtë vit në Tetovë nuk do të mungojnë.
Sipas Kasamit, një pjesë e bulevardit “VS. Bato” pritet të përfundojë në mars ose prill, ndërsa e njëjta rrugë do të vazhdojë punimet për t’u lidhur me qarkoren e Treboshit dhe pjesa tjetër daljen do ta ketë në fshatin Poroj.
‘Biseduam për të gjithë ato projekte që na presin në periudhën që vjen. Komuna e Tetovës ka realizuar projekte gjatë gjithë periudhës që do të jem në krye të saj. Është një segment i bulevardit “Video Smilevski – Bato” dhe ne besojmë se nëse na premtojnë kushtet atmosferike, nga marsi e prilli kjo rrugë do jetë e asfaltuar. Të gjitha projektet tjera janë realizuar si ndriçimi dhe infrastruktura nëntokësore dhe tash është faza e tamponimit e asfaltimit. Është vetëm një segment i bulevardit, pasi nga ajo pikë do të vazhdojë në dy krahë, njëra do të lidhet me qarkoren në Trebosh e Kazhincë e krahu tjetër drejt fshatit Poroj.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërkohë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, tha se Qeveria ka ndarë mjete për të investuar në projekte kapitale në komunën e Tetovës.
“Për disa projekte që biseduam me Kasamin, disa procedura kanë përfunduar e disa janë në vijim. Në këtë drejtim në buxhetin e vitit 2025, Ministrisë së Ambientit Jetësor për komunën e Tetovës i janë siguruar mjete për ndërrimin e rrjetit të ujësjellësit në Poroj me vlerë prej 25 milionë denarësh, gardhin e mbrojtjes së lumit Shkumbin të pjesës së papërfunduar në komunën e Tetovës me vlerë prej 9 milionë denarësh. Gjithashtu me fondet e siguruara nga Banka Evropiane e investimeve është planifikuar që në vitin 2025 të fillojë realizimi i projektit rekonstruktiv i gypit të ujësjellësit për furnizimin e ujit të pijshëm për qytetin e Tetovës me vlerë prej 64 milionë denarësh.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Komuna e Tetovës vetëm gjatë këtij viti ka përfituar nga ndihma e Qeverisë rreth 11.5 milionë euro, mjete këto që pritet të investohen në projekte kapitale për Tetovën.
VISAR SADIKI
