Botë
Zjarr apokaliptik në Los Anxhelos, pesë të vdekur, mijëra të evakuuar
09.01.2025 18:17
Los Anxhelosi vazhdon të digjet. Raportohet për 5 të vdekur...

Los Anxhelosi vazhdon të digjet. Raportohet për 5 të vdekur, të plagosur dhe qindra shtëpi të shkatërruara. Më shumë se 130.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen. Pamjet apokaliptike kanë vërshuar qytetin me viktima, tym dhe makina e shtëpi të djegura. Njerëzit po përpiqen të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet.
“Pesë miqve të mi iu dogjën shtëpitë. Kur një zjarr ndizet nga era, nuk mund të bësh shumë.", - tha një banor i Pasadenës.
“Këtu e kaluam natën, pamë se shtëpia ngjitur kishte marrë flakë, kështu që filluam t’i hedhim ujë, gjë që fatkeqësisht nuk funksionoi.”, - u shpreh një banor i Altadenës.
Zjarret që kanë shpërthyer kanë dalë jashtë kontrollit, duke u përhapur edhe në Hollivud Hills. Gjithsej janë përfshirë 7 vatra prej të martës në veriun Los Anxhelosit. Vatra aktive më e madhe që ka djegur rreth 17.200 hektarë është ajo në Pasadena. Zjarri i dytë më i madh ka goditur pjesën veriore të Los Anxhelosit duke shkrumbuar rreth 10.600 hektarë.
"Ne përjetuam një tragjedi të madhe. Kemi pesë viktima dhe mbi 100.000 të evakuuar, por gjithashtu po aq të paralajmëruar për evakuim urgjent, sepse janë në zonën e rrezikut.”, - deklaroi kryebashkiaku i Pasadenës – Kaliforni, Viktor Gordo.
Erërat e fuqishme po pengojnë punën e zjarrfikësve, të cilët po punojnë përtej kapaciteteve për të shuar flakët, ndërsa po përballen edhe me mungesën e ujit. Nga kjo situatë katastrofike rreth 30.000 shtëpi e biznese kane mbetur pa energji elektrike.
“Ne jemi ende në alarm të kuq. Kishim ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, gjë që ndikoi në sistemin tonë hidraulik. Por, do të jem i qartë, mund të kishim më shumë ujë, por me ato rrëmbimet e erës ne ende nuk do të kishim mundur ta ndalonim zjarrin mbrëmë.", - theksoi shefi i Zjarrfikësve në Pasadena, Çad Augustin.
Autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet. Pentagoni ka dërguar pajisje dhe personel në zonat e prekura, pasi presidenti Bajden miratoi ndihmën federale për komunitetin.
"Ne jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka që duhet për të kontrolluar këto zjarre dhe për t'u kthyer në normalitet.", - u shpreh presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Tramp, drejtoi gishtin te guvernatori i Kalifornisë - Njusom, për tragjedinë e zjarrit. Ai e akuzoi atë për refuzimin e nënshkrimit të një deklarate për restaurimin e ujit, e cila do të kishte vënë në dispozicion miliona litra ujë nga shiu i tepërt dhe bora e shkrirë nga veriu.
"Kjo është një tragjedi e vërtetë dhe është faji i guvernatorit dhe mund të thuash i administratës. Imagjinoni, ata nuk kanë ujë, por ai vjen nga veriu - miliona fuçi me gallona ujë. Tani duket se ne do të jemi ata që duhet ta rindërtojmë atë.”, - theksoi presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Tramp.
Drejtori i komunikimit i Njusom, Izi Gordon, tha se Trampi po bën politikë derisa zjarret e egra bëjnë kaos dhe se është trillim i pastër i Trampit. Ndërkohë edhe pse meteorologët kanë parashikuar që fuqia e erërave do të bjerë, kushtet e rrezikshme atmosferike pritet të vazhdojnë deri të premten.
BELINDA KOKA ADEMI
