2 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski...

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka bërë me dije se gjatë takimeve të tij me partnerët perëndimorë u dakordësua që Kievit t’i jepen 2 mld dollarë shtesë për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Në një intervistë për rrjetin “My-Ukraina TV”, Zelenski nuk dha shumë detaje për llojin e ndihmës, por theksoi se 34 vende janë zotuar të mbështesin Ukrainën në fusha të ndryshme.
Kemi pasur një rezultat shumë të mirë, kishte paketa shtesë mbështetëse për Ukrainën që arrinin në 2 miliardë dollarë, ka thënë Zelenski. Ndihma përfshin mbrojtjen kundërajrore, pastrimin e minave, forcat detare dhe ajrore, artilerinë dhe teknologjinë e mbledhjes së inteligjencës.
E gjithë kjo do ta forcojë Ukrainën, është shpreh Zelenski.
Presidenti ukrainas nuk specifikoi se cilat vende i morën këto angazhime. Ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, tha se Uashingtoni do t’i sigurojë Kievit ndihmë ushtarake shtesë prej 500 milionë dollarë, të cilat do të përfshijnë mbrojtje kundërajrore, municione tokë-ajër dhe pajisje për avionët luftarakë F-16.
