Kalifornia po numëron dëmet e mëdha nga zjarri

10.01.2025 13:42

Dy zjarret më të mëdha që kanë përfshirë ndonjëherë Los Anxhelosin...

Dy zjarret më të mëdha që kanë përfshirë ndonjëherë Los Anxhelosin në Shtetet e Bashkuara këtë javë, i kanë shkaktuar 10 vdekje dhe i kanë shkatërruar të paktën 10.000 shtëpi, ndërtesa dhe struktura të tjera, thanë zyrtarët, të premten.

Zyrtarët në Los Anxhelos njoftuan se zjarri “Eaton”, i cili u ndez të martën mbrëma, i ka rrënuar më shumë se 5.000 struktura. Ky term përfshin shtëpi, ndërtesa banimi, biznese dhe automjete. Një zjarr tjetër në perëndim të Los Anxhelosit, më i madhi që e ka përfshirë këtë zonë ndonjëherë, i ka shkatërruar mbi 5.300 struktura. Numri i të vdekurve nga zjarret u rrit në 10 nga shtatë, njoftuan zyrtarët shëndetësorë në Los Anxhelos.

Të paktën 180.000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen. Zjarri në Palisades tashmë është më shkatërruesi në historinë e Los Anxhelosit.

Të gjitha shkollat në Distriktin Shkollor të Bashkuar të Los Anxhelosit, i dyti më i madhi në vend, do të qëndrojnë të mbyllura të premten, për shkak të tymit të madh që ka mbuluar qytetin dhe hirit që po bie në disa zona.