Maqedoni

Kuvend, konstituohet Klubi i deputeteve

10.01.2025 14:58

Në Kuvendin Republikan u mbajt mbledhja konstitutive e Klubit të deputeteve...

Në Kuvendin Republikan u mbajt mbledhja konstitutive e Klubit të deputeteve, me ç’rast për kryetare u zgjodh deputetja socialdemokrate, Jovana Trençevska, ndërsa Sillvana Angelevska nga VMRO-DPMNE-ja do të jetë nënkryetare. Trençevska pas zgjedhjes tha se Klubin e deputeteve e pret shumë punë, sidomos për përballjen me gjuhën e urrejtjes ndaj grave në politikë.
 
“Para nesh ndodhen shumë sfida, sidomos në pjesën e avancimit të të drejtave të grave, si dhe përballjen me gjuhën e urrejtjes, sidomos ndaj grave në politikë.”, - deklaroi kryetarja e Klubit të deputeteve, Jovana Trençevska.
 
Klubi i deputeteve pasqyron angazhimin e Kuvendit për promovimin e barazisë gjinore, deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi. Ai theksoi se lufta për barazi gjinore duhet të jetë një angazhim i përbashkët i gjithë shoqërisë, përfshirë burrat, gratë, institucionet dhe organizatat, pasi vetëm një shoqëri që garanton barazinë gjinore mund të jetë e zhvilluar dhe demokratike.
 
“Vetëm duke u angazhuar së bashku mund të krijojmë një shoqëri, ku çdo individ, pa marrë parasysh gjininë, ka mundësi të barabarta dhe respektohet për kontributin e saj apo të tij.”, - theksoi  kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Gashi e inkurajoi këtë organ që në aktivitetet dhe angazhimet e ardhshme për avancimin e të drejtave dhe forcimin e demokracisë, të përfshijë sa më shumë burra, qofshin deputetë, ekspertë apo qytetarë të thjeshtë, pasi kontributi i tyre mund të jetë i madh për institucion ligjvënës që do të promovojë barazi dhe drejtësi.
 
FLORIJE KAMBERI