Maqedoni
Përplasje për narrativin politik, rriten tensionet mes ish-partnerëve, LSDM-BDI
10.01.2025 15:40
Tensionet mes ish-partnerëve të koalicionit qeveritar, BDI dhe LSDM, janë rritur...
Tensionet mes ish-partnerëve të koalicionit qeveritar, BDI dhe LSDM, janë rritur, me akuza të ndërsjella për nxitje të intolerancës ndëretnike. Nga BDI-ja pretendojnë se LSDM-ja po shfrytëzon valën e albanofobisë për të përfituar politikisht, ndërsa socialdemokratët i përgjigjen se BDI-ja po ushqen retorikë të rrezikshme nacionaliste.
Socialdemokratët i bënë thirrje kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, të dalë nga filmi nacionalist dhe të shmangë retorikën që, sipas tyre, rrezikon stabilitetin e vendit.
“LSDM-ja i konsideron të papranueshme provokimet e qëllimshme etnike të BDI-së, të cilat janë shndërruar në strategjinë e vetme të partisë. BDI-ja nuk duhet të harrojë se shqiptarët në këtë vend duan paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Kur BDI-ja e akuzon LSDM-në për albanofobinë, nuk duhet harruar se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votojnë për partinë tonë.”, deklarojnë nga LSDM.
Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, theksoi se LSDM-ja po ndjek të njëjtën rrugë si VMRO-DPMNE-ja për të fituar pikë politike përmes retorikës kundër shqiptarëve.
“Filluan edhe këto ta ndërrojnë retorikën, ta ndërrojnë narrativin dhe t’i ngrenë tonet nacionaliste, duke menduar se kështu do të fitojnë më tepër vota në opinion, duke parë se ata në zgjedhjet e fundit dolën humbës. Këto akuza të pabaza dhe pak tregojnë një nivel të sharlatanizmit politik. Secili duhet të mbajë përgjegjësi për detyrën që ka pasur, në momente të caktuara në periudhë të caktuar dhe po e potencoj edhe njëherë, funksionarët e LSDM-së kanë qenë bashkë me ne në bashkëqeverisje, kështu që duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat publike që japin.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
Tensionet mes dy partive u rritën sidomos pas intervistës së kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për gazetën “I pavarur” (“Nezavisen”), ku është shprehur se distancohen nga BDI-ja, derisa njoftoi se LSDM-ja refuzon bashkëpunim me BDI-në.
ERSAN PAJAZITI