Maqedoni
Rasti "Kalimi”, ngritet aktakuzë për 16 persona
10.01.2025 16:14
Aktakuzë për 13 doganierë dhe një polic dhe propozim-akuzë...
Aktakuzë për 13 doganierë dhe një polic dhe propozim-akuzë për dy doganierë në rastin e koduar “Kalimi”. Gjatë kontrollit doganor kanë marrë ryshfet nga transportuesit e mallrave në vlerë prej 20 deri në 150 euro për të mos llogaritur dhe arkëtuar detyrimet e importit, duke dëmtuar buxhetin e shtetit. Në të njëjtën kohë, ryshfetin e marrë e kanë ndarë mes tyre.
Prokurori në fjalë ka paraqitur në gjykatë propozimin për konfiskimin e dobisë pasurore të përfituar nga krimi. Gjatë kontrolleve janë gjetur pothuajse 52 mijë euro, rreth 663 mijë denarë, mbi 4.800 franga zvicerane, 530 dollarë amerikanë, 20 paund britanik, 200 hryvnia ukrainase, 102 leva bullgare dhe 100 lira turke, si dhe 36 paketa cigare.
Njëkohësisht, së bashku me aktakuzën është paraqitur propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave.
Veprat penale të cilat karakterizojnë këtë rast janë: marrje e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimeve zyrtare, prodhimi, posedimi, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese. Hetimi është hapur pas aksionit policor në njësitë doganore të Novosellës dhe Dojranit. Procedura është ndërprerë për dy persona.
FLORIJE KAMBERI