Maqedoni

Kostadinovi provokon sërish, Davkova: E pahijshme dhe e pandershme

10.01.2025 16:33

Deputeti bullgar i së djathtës, Kostadin Kostadinov...

Deputeti bullgar i së djathtës, Kostadin Kostadinov, vazhdon me provokimet ndaj politikanëve tanë pasi ata komentuan deklaratën e tij për bashkim të shtetit të Bullgarisë dhe Maqedonisë si dy shtete me histori të përbashkët, origjinë, gjuhë dhe popull të përbashkët. 
 
“E këshilloj kryeministrin maqedonas, që kur të shkojë në inaugurimin e Trampit në Uashington javën e ardhshme, t'ia thotë të njëjtën personalisht në raport me tensionet mes ShBA-së dhe Kanadasë dhe Kanalit të Panamës. Përveç kësaj, pres nga MPJ-ja maqedonase ta dënojë deklaratën e Trampit si "jokonzistente me frymën dhe kohën në të cilën jetojmë".”, shkruan Kostadinovi në fejsbuk.
 
Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e ka quajtur mosrespektim dhe propozim jo të denjë deklaratën e liderit të partisë politike të djathtë të Bullgarisë, Kostadin Kostadinov.  Sipas shefes së shtetit, me këtë deklaratë shkelet traktati i Lisbonës dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë mes Shkupit dhe Sofjes.
 
"Që të propozoni federata ballkanike ose modele të njëjta duhet të manifestoni respekt elementar ndaj fqinjëve, që do të thotë, ta pranoni veçantinë e tjetrit. D.m.th. ta trajtoni si të barabartë, që është themelorja e traktatit të BE-së, traktatit të Lisbonës. Në preambulën për fqinjësi të Mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, shkruan se Bullgaria si anëtare e BE-së do t'i ndihmojë Maqedonisë në rrugën eurointegruese. Ky është propozim i pahijshëm.", - ka thënë presidentja Siljanovska Davkova për televizionin “Alfa”.
 
Deklarata është përcjellë me reagim edhe nga koalicioni VLEN dhe Ministria e Jashtme. Sipas tyre, qëndrimet e tilla nuk kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje dhe as nuk lehtësojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
 
MPJ-ja e quan sulm direkt ndaj integritetit, sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit, njëkohësisht edhe shkelje të së drejtës dhe parimeve ndërkombëtare.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU