Maqedoni
Kuvendi hodhi poshtë interpelancat për Mexhitin, Toshkovskin, Isenin dhe Stoilkoviqin
11.01.2025 11:23
Katër interpelancat për punën e qeveritarëve nuk kaluan....

Gjatë punimeve të djeshme maratonë në Kuvendin Republikan, deputetët shqyrtuan katër Interpelancat ndaj funksionareve te qeverisë, të parashtruara nga Fronti Evropian, respektivisht nga BDI, dhe një Interpelance të parashtruar nga partia e “ Majta” ndaj punës së kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi, Ilire Dauti.
Kuvendi me 3 vota për dhe 64 kundër, e hodhi poshtë Interpelancën e Frontit Evropian ndaj zv/kryeministrit të pare, Izet Mexhiti. Kuvendi e hodhi poshtë edhe interpelancën ndaj ministrit për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq. E fundit ishte ajo për zv/ministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni. Interpelanca e Isenit nuk ka kaluar, sepse “pro” votuan vetëm 4 deputetë, e kurse kundër 62. Interpelanca ishte parashtruar nga deputetët e Frontit Europian, për, siç tha deputetja Dijana Toska, “për nivelin e lartë të paaftësisë ”.
Kuvendi pranoi interpelancën e parashtruar nga e “Majta”, për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.
Snopçe: “Ilire Dauti nuk është shkarkuar nga posti i kryetares se Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale. Votat për Interpelancën nuk kanë efekt juridik imperativ”.
Ndërkohë me 61 vota “Pro” dhe 22 kundër, Kuvendi e pranoi interpelancën e parashtruar nga e “Majta”, për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti dhe miratoi konkluzion se pohimet në interpelancë janë të bazuara. I menjëhershëm ishte reagimi I deputetëve nga opozita shqiptare, te cilët këtë e cilësuan si dështimin e radhës të koalicionit VLEN. Në ndërkohë deputetët e Koalicionit Vlen, thanë që pavarësisht rezultateve të Interpelancës, Ilire Dauti do të vazhdojë të mbetet kryetare e Komisionit. Deputeti Halil Snopçe, deklaroi gjithashtu se deputetët e Vlen-it, nuk kanë votuar “pro” interpelancës ndaj deputetes Ilire Dauti.
“Dëshiroj të sqaroj para opinionit për shkak se ka disa dezinformata në media, kryesisht në gjuhën shqipe. Dëshiroj të informoj gjithë opinionin dhe mediat, se Ilire Dauti nuk është shkarkuar nga posti i kryetares se Komisionit për Punë dhe politikë sociale. Votat për Interpelancën nuk kanë efekt juridik imperativ, pra, Ilire Dauti do të vazhdojë të jetë anëtare e Komisionit për Politikë Sociale, dhe njëkohësisht do të vazhdojë të jetë kryetare e atij komisioni. Koalicioni VLEN votoi kundër interpelancës, dhe pavarësisht asaj Ilire Dauti do të vazhdojë punën si kryetare e komisionit, sepse votat e Interpelancës nuk kanë kurrfarë efekti juridik.”, deklaroi mes tjerash deputeti i ASH-së nga Koalicioni Vlen, Halil Snopçe.
Deputetët e shumicës dhe ato të opozitës, në seancën e djeshme parlamentare janë përplasur edhe për shumë çështje të tjera aktuale, në raport me çështjet etnike, përdorimin e Flamurit Kombëtar shqiptar, gjuhës shqipe dhe çështje të tjera të lidhura me proceset e ngritura hetimore ndaj ish funksionareve të lartë nga pushteti i kaluar, me qëllim, siç u tha nga deputetët e shumicës, luftimit të krimit dhe korrupsionit në vend.
MERITA GASHI
