Maqedoni
LSDM: BDI të dalë nga filmi nacionalist
11.01.2025 13:55
Lidhja social demokrate akuzon Bashkimin Demokratik për integrim për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në....

Lidhja social demokrate akuzon Bashkimin Demokratik për integrim për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në. Sipas LSDM-së politikat e saja të papërgjegjshme i mundësojnë VMRO-DPMNE-së të përfitojë politikisht. Agron Demiri nga kjo parti deklaron se BDI duhet të dalë përfundimisht nga filmi nacionalist, duke nxitur tensione etnike dhe përçarje mes qytetarëve. Sipas tij, deklarata dhe veprime të tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe të papërshtatshme për shoqërinë tonë multietnike dhe demokratike.
“Me politikat e saj të papërgjegjshme, BDI-ja i mundëson VMRO-DPMNE-së, të destabilizojë edhe më tej situatën dhe të përfitojë politikisht. Bashkëpunimi i tyre është më se i dukshëm - votojnë bashkë në Kuvend, BDI u siguron shumicën e Badenterit, kështu që deri në skandalet e fundit, si lirimi falas i Artan Grubit përtej kufirit, janë dëshmi e qartë për këtë.”, tha Agron Demiri, anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
VMRO-DPMNE: LSDM i ka fshehur krimet Artan Grubit
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE theksojnë se LSDM është ajo që i'a ka fshehur krimet Artan Grubit.
“LSD të kërkojë falje publike për Grubin. Nga krimet e Lotarisë, përmes dyqanit në rrugën Makedonija nën çmim, deri te automjeti luksoz që nuk është i tij, por që ia ka dhënë një shok, Grubit i vjen erë krimi dhe korrupsioni. LSD e dinte se çfarë po bënte Artan Grubi dhe e lejoi krimin e tij. VMRO-DPMNE, mediat dhe qytetarët, me vite kanë alarmuar se Grubi po grabit shtetin, ndërsa LSD dhe BDI kanë heshtur. Si e mbajti Artan Grubi LSD-në dhe BDI-në që askush të mos i pengonte? A shantazhohet ende LSD nga Grubi dhe prandaj nuk munden të heqin dorë prej tij dhe me çfarë?”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
BDI: LSDM është në funksion të VMRO-DPMNE-së
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese ka reaguar ndaj politikës aktuale të LSDM-së, e që sipas tyre është në funksion të VMRO-DPMNE-së. Nga BDI thonë se LSDM në vend që të veprojë si parti opozitare, po vepron si parti e kapur nga që nuk guxon ta sfidojë realitetin.
“Sjellja e LSDM-së sot duket gjithçka, përveç asaj të një partie opozitare ndaj VMRO-DPMNE-së. Në vend që të luftojë qeverinë aktuale, LSDM po vepron si një parti e “kapur”, e cila nuk guxon të sfidojë realisht pushtetin, por vetëm sa e legjitimon atë me heshtjen dhe pajtueshmërinë e saj. Ky transformim nuk është i rastësishëm. Marrëveshja e pashpallur mes Mickoskit dhe Zaevit, me ndërmjetësimin e oligarkut Angjushev, ka një qëllim të qartë: të sigurojë imunitet në këmbim të një qeverisjeje që eliminon ndikimin politik të shqiptarëve.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Shtojnë se shqiptarët nuk do të lejojnë që të përdoren si kurban në pazaret e fshehta politike.
FLORIJE BELULI KAMBEI
