Maqedoni
Pesë interpelanca në Kuvend, Selmani: Shfrytëzohen për përplasje mes partive
11.01.2025 16:06
Seanca e parë plenare e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, të premten filloi me shqyrtimin e katër interpelancave...

Seanca e parë plenare e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, të premten filloi me shqyrtimin e katër interpelancave të iniciuara nga opozita, përkatësisht Fronti Evropian, dhe një tjetër nga partia E Majta, ndaj kryetares së Komisionit për Politikë Sociale Ilire Dauti. Interpelancat e BDI-së dhe partnerëve të kualicionit janë adresuar ndaj zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni.
Analisti politik Bashkim Selmani për TVM2 thotë se mjetet juridike që parashihen në Kuvend siç është interpelanca, asnjëherë nuk kanë pasur efektin e vet, por vetëm shfrytëzohen për përplasje ndërmjet partive politike.
“Është fakt se kuvendi parasheh rregullat se si funksionon dhe si duhet të bëhet matja dështimet apo sukseset e një qeverie dhe kur ka elemente të kësaj natyre, të kundërshtimeve nga opozita ose nga qytetarët përgjegjësia është politike, materiale, penale dhe ajo që është çështje e interpelancës duhet të përfundojë me përgjegjësi morale. Fatkeqësisht në RMV jo që nuk respektohen po këto janë vetëm përplasje e funksionimit të subjekteve politike në përgjithësi, për arsye se nga momenti që bëhen zgjedhjet kuvendore atëherë demokracia duhet të funksionojë në emër dhe për qytetarët. Fatkeqësia në Maqedoni edhe sot pas disa decenieve aktualisht po dëshmohet se partia që i fiton zgjedhjet e bën edhe shtetin partiak.”, u shpreh analisti politik Bashkim Selamani.
Sa u përket përplasjeve në kampin shqiptar Selmani thotë se partitë politike shqiptare duhet të mbajnë llogari dhe të bartin përgjegjësi për çështjet që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.
“Përplasjet që ndodhin aktualisht mes subjekteve politike shqiptare duhet argumentuar dhe pasojat duhet të barten atje ku ka dilema dhe dyshime që ka shkelje në interesin e marrëdhënieve ndëretnike dhe interesin e gjerë Publik.”, tha Selamani.
Megjithëse përpjekjet në aspektin procedural dhe ligjorë janë legjitime, Selmani thotë se interpelancat do të shfrytëzohen nga pushteti për të defokusuar opinionin nga çështjet e borxhit publik dhe krizës ekonomike.
LEONORA KALIQI
