Maqedoni
Prokuroria: S’jemi pajtuar me lirimin me kusht të Mijallkovit
11.01.2025 18:08
Prokuroria Publike ka sqaruar se asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv për lirim me kusht të Mijallkovt...

Prokuroria Publike përmes një kumtese ka sqaruar se asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv dhe nuk është pajtuar me lirim me kusht të ish drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijallkov.
“Për shkak të interesimit të publikut lidhur me lirimin me kusht të personit të dënuar Sasho Mijallkov dhe të drejtës së tij që ta lëshojë vendin, Prokuroria Publike sqaron se asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv dhe nuk është pajtuar me lirim me kusht të të dënuarit.”, bëjnë të ditur në kumtesë.
Nga prokuroria thonë se prokurori kompetent publik gjatë vendosjes së shkallës së parë për lirim me kusht të Mijallkovit ka dhënë mendim negativ, ndërsa pas vendimit të marrë me të cilën i ishte miratuar lirimi, prokurori ka bërë edhe ankesë e cila ishte hedhur poshtë.
“Me ndryshimet në Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve të publikuara në Gazetën Zyrtare më 2 prill të vitit 2024, nga neni 254 është fshirë dispozita e cila parashikonte detyrimin që vendimi për lirim me kusht të dorëzohet te prokurori publik, ndërsa me nenin 256 në praktikë në tërësi ishte hequr mundësia që prokurori publik të ankohet për vendimin për lirimin me kusht. Kjo nënkupton se nga ato ndryshime, prokurori publik as nuk është njoftuar as ka mundësi të ankohet për lirimin me kusht.”, theksojnë nga Prokuroria, duke shtuar se mbikëqyrjen ndaj Mijallkovit e cakton vetëm Gjykata, sepse në maj të vitit 2024 ai kishte marrë vendim përfundimtar për lirim me kusht, në të cilin prokurori publik nuk ka mundur aspak të ketë ndikim, as ndaj mbikëqyrjes së mbrojtur ndaj të liruarit me kusht Mijallkov.
