Ekonomi
LSDM: Pagat stagnojnë shpenzimet për jetë rriten
12.01.2025 14:18
Edhe më tej vazhdojnë përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së...

LSDM, kritikon qeverinë se inflacioni po rritet dhe po e ulë standardin e qytetarëve ndërsa pagat stagnojnë. Sipas tyre mijëra familje detyrohen të jetojnë me paga që thjesht nuk mjaftojnë as për shpenzimet elementare. Derisa qytetarët e ndjejnë këtë goditje ekonomike, Qeveria e VMRO-DPMNE-së mbetet dëshmitare e heshtur dhe bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë në varfërimin e popullit thonë nga LSDM.
“Dëgjojmë sot se si ministrat dhe zyrtarët në Qeverinë e Mickoskit me pagat më të larta në vend thonë se punëtorët kërkojnë shumë, se është shumë rritja e pagave. LSDM kërkon që DPMNE menjëherë t'i ndryshojë këto politika të gabuara ekonomike dhe të sigurojë rritje të pagës minimale në 500 euro, rritje të pagave në të gjithë sektorët dhe heqjen e TVSH-së në ushqim.”, thonë nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Ekonomia u stabilizua, pagat, pensionet u rritën
I menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Sipas tyre përderisa strukturat e larta në LSDM-së dhe njerëzit e tyre të afërt u pasuruan përmes tenderëve të turbullt, populli u varfërua dhe lufton për të siguruar bukën e gojës.
“Kur LSD flet për koston e jetesës, ne i kujtojmë se cilat ishin shifrat gjatë sundimit të tyre shtatëvjeçar. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, indeksi i kostos së jetesës në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, shënoi rritje prej 9,4%, ndërsa indeksi i çmimeve ishte 7,0%. LSD është edhe ajo që rriti TVSH-në për produktet ushqimore. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE e stabilizoi ekonominë vitin e kaluar dhe pas këtij stabilizimi këtë vit pason rigjallërimi i saj, i cili do të çojë në një mënyrë të qëndrueshme të rritjes së standardit të jetesës së qytetarëve. Kështu, sipas parashikimeve të Bankës Popullore, këtë vit pritet një rritje e Bruto prodhimit vendorë prej 3.3% dhe inflacioni do të ulet më tej në nivelin 2.5%.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti shtojnë se për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve Qeveria rriti pagat dhe pensionet, kufizoi marzhat e fitimit dhe uli çmimin e produkteve ushqimore.
FLORIJE BELULI KAMBERI
