Maqedoni

Mjekët: Bora pastroi ajrin, kujdes nga aksidentet, rrëshqitja dhe gripi

12.01.2025 15:05

Reshja e borës do të ndikojë në pastrimin e ajrit, i cili ditëve të fundit ka qenë tejet i ndotur në disa qytete të vendit...

Reshja e borës do të ndikojë në pastrimin e ajrit, i cili ditëve të fundit ka qenë tejet i ndotur në disa qytete të vendit përfshi edhe kryeqendrën, thonë mjekët. Nga ndihma e shpejtë në Shkup njëherit shpresojnë se këtyre ditëve nuk do të kenë shumë punë nga aksidentet eventuale të cilat mund të shkaktohen si në komunikacion, ashtu edhe nga rrëshqitja e qytetarëve. 
 
“Ndoshta ka shkaktuar pjesërisht vështirësi në komunikacion, por duke e pasur parasysh se është e diel nuk kemi shumë thirrje lidhur me probleme në rrugë. Nga ana tjetër bora ka shkaktuar pastrimin e ajrit, prandaj të gjithë pacientët kronik do ta kenë më lehtë në ditët në vijim, pasi nuk do ti kenë pasojat e ndotjes së ajrit.”, u shpreh Vesna Kërstevska, mjeke në ndihmën e shpejtë.
 
Mjeku Shpejtim Rexhepi, përkujton se në këtë periudhë të vitit janë të pranishme virozat, prandaj duke i pasur parasysh temperaturat e ulëta, qytetarët duhet të kenë kujdes kur qëndrojnë në ambiente të mbyllura. 
 
“Të bëhet ajrosja e vendeve të mbyllura. Të kenë kujdes ata të cilët janë të prekur dhe kanë simptoma të virusit të mbajnë distancë nga njerëzit e tjerë të cilët nuk e kanë virozën e gripit. Gjithashtu kisha sugjeruar te qytetarët që të konsumojnë sasi më të madhe të vitaminave, sidomos ata që kanë nevojë.”, tha mjeku Shpejtim Rexhepi.
 
Javën e parë pas vitit të 2025 më shumë se 330 qytetarë janë sëmurë nga gripi, kanë bërë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI