Botë
Jack Smith dorëheqet nga Departamenti i Drejtësisë
12.01.2025 16:06
Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë...

Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij, duke theksuar se ai dha dorëheqje të premten. Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor.
Smith dhe ekipi i tij e kishin përgatitur një raport gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago. Departamenti i Drejtësisë pritej ta bënte publik raportin në ditët e fundit të administratës Biden, por një gjykatëse e emëruar nga Trumpi, e cila e udhëhoqi rastin e dokumenteve të klasifikuara, e pranoi kërkesën e mbrojtjes që publikimi i raportit të shtyhej të paktën përkohësisht.
