Botë

O’Brien: SHBA do tu kushtojë vëmendje aspiratave të Kosovës

12.01.2025 17:07

Pavarësisht ndryshimeve në administratë, SHBA do t`i kushtojë vëmendje nevojave të Kosovës...

Pavarësisht ndryshimeve në administratë, SHBA do t`i kushtojë vëmendje nevojave të Kosovës që ajo të ketë sukses në aspiratat e saja, ka deklaruar Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Një deklaratë të tillë O’Brien e bëri gjatë një interviste për televizionin e Serbisë, ku foli rreth dialogut strategjik SHBA-Serbi. Ai e vlerësoi këtë dialog si një mundësi për dy qeveritë për të bashkëpunuar në programe që do të jenë të përhershme. 
 
“Është një shenjë e pjekurisë së marrëdhënieve tona. Presidenti Vuçiq theksoi temat e tij të rëndësishme, janë gjashtë apo shtatë tema në atë listë dhe kjo do të krijojë një mënyrë në të cilën ne mund të bashkëpunojmë në afat të gjatë.”, tha O’Brien. 
 
Kur bëhet fjalë për Kosovën nuk ka pajtueshmëri mes SHBA-së dhe Serbisë, tha O’Brien. 
 
“Qëndrimi ynë është se tani ekziston një mundësi për të propozuar një vizion se si serbët mund të jetojnë brenda Kosovës, si komunitet dhe si qytetarë të plotë të Kosovës. Dhe ky dialog tani është një mundësi për të siguruar që të ketë një kuptim të plotë të qëndrimeve të të gjitha palëve. Vendimet, natyrisht, do t'i takojnë popullit të Serbisë, i cili do të duhet të vendosë nëse është i gatshëm të marrë hapat që pret Evropa - njohjen e kufijve. Mendoj se me ndihmën e dialogut do të mund të shmangim keqkuptimet.”, shtoi O’Brien.