Botë

Takimi i Komisionit të Përbashkët, Lajçak: Do të diskutohet për personat e zhdukur

13.01.2025 11:30

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahet takimi...

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët në Bruksel, për personat e zhdukur gjatë luftës. 

Përmes një postimi në Fejsbuk, Lajçaku ka shkruar se gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit për të diskutuar mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet gjeopolitike në Ballkan.
 
“Misioni im i parë i vitit më çoi në Uashington, u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmës sekretarin e shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Xhim O’Brajan dhe zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit. Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek personat e zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët.”, ka shkruar Lajçaku.