Belgjika në grevë, anulohen fluturimet dhe udhëtimet me tren

13.01.2025 12:21

Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën...

Belgjika u përfshi nga një grevë kombëtare të hënën, pasi punonjësit e trafikut ajror dhe hekurudhor u ngritën kundër planeve për reforma të pensioneve.
 
Rreth 40 për qind e fluturimeve për dhe nga Aeroporti i Brukselit - më i madhi i Belgjikës - u anuluan, pasi bartësit e bagazheve, stafi i sigurisë dhe personeli tjetër ndërprenë punën.
 
Kompania ajrore, Brussels Airlines, tha të shtunën se është detyruar të anulojë paraprakisht gjysmën e fluturimeve të saj brenda Evropës, për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta.
 
Operatori i aeroportit Charleroi - që është një ndër qendrat kryesore evropiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair - tha se priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të mundshme.
 
Transporti hekurudhor pësoi gjithashtu - dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë.
 
Shërbimi i trenave u ndërpre edhe në Bruksel.
 
Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës për të protestuar kundër reformave në pensione, që mund të miratohen nga qeveria e ardhshme.
 
Partitë belge janë ende në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor.
 
Pesë partitë që po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni, planifikojnë ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC.
 
Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel gjatë ditës./REL