Botë

Shqipëri, Bora, situata e motit në disa zona

13.01.2025 14:18

Qindra banorë në fshatrat e Dibrës janë të izoluar nga bora, trashësia e së cilës shkon deri në një 1 metër në fshatra...

Qindra banorë në fshatrat e Dibrës janë të izoluar nga bora, trashësia e së cilës shkon deri në një 1 metër në fshatra, ndërsa në qytetin e Peshkopisë dhe të Bulqizës, 35 cm. Ushtria ndërhyri për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit. Mësimi është pezulluar në 25 shkolla të qarkut të Dibrës. Përpos bllokimit të rrugëve, mungon energjia dhe interneti. Lidhja me Tiranën bëhet vetëm përmes aksit të vjetër, ndërsa Rruga e Arbrit vijon të jetë e bllokuar.
 
Qarku i Kukësit mbetet i përfshirë nga reshje bore me intensitet të ulët dhe i shoqëruar me erë të fortë. Rruga e Kombit dhe të gjitha akset nacionale janë të hapura, ndërsa në izolim mbeten zonat malore. Në 20 shkolla të Kukësit e Hasit është pezulluar mësimi, për shkak se rrugët janë me borë.
 
Kalimi në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është i kufizuar për autobusët e kamionët, për shkak të borës në zonën e Grevenas në Greqi. Kjo situatë ka sjellë orë të gjata pritje për drejtuesit dhe pasagjerët.
 
Në zonat malore të Shkodrës reshjet e borës kanë ndaluar, por fryn erë e fortë duke sjell ngrica në rrugën e Thethit, e cila kalohet me vështirësi.
 
Në Bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, për shkak të erës së fortë dhe dëmtimit të shtyllave, ka ndërprerje të energjisë, ndërsa mësimi është pezulluar në 24 shkolla pa ngrohje. Reshje ka pasur edhe në zona të tjera, por pa problematika serioze.
 
LULJETA NDOKA