Maqedoni
Rruga Tetovë – Prizren, Kasami: Sivjet, tenderi për projektimin e tunelit
13.01.2025 14:34
Rruga Tetovë – Prizren po punohet me intensitet të lartë nga pjesa e Kosovës...

Rruga Tetovë – Prizren po punohet me intensitet të lartë nga pjesa e Kosovës, por nga ana e Maqedonisë së Veriut ende mbetet nëpër zyrat e institucioneve për projektimin e rrugës dhe të tunelit, i cili pritet të jetë 6.2 km. Rruga Tetovë - Prizren do të fillojë të ndërtohet nga hyrja e fshatit Shipkovicë deri në hyrje të tunelit në fshati Veshallë. Sipas kreut të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, grupi i punës është formuar dhe do të punojë edhe për shpalljen e tenderit për projektim të tunelit.
“Veç më janë formuar grupet e punës të cilët punojnë në drejtim të shpalljes të tenderit për projektimin e tunelit dhe në bashkëbisedim me Drejtorinë e Rrugëve Shtetërore jemi dakorduar që edhe projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova deri në hyrje të tunelit të futet në programin e ndërmarrjes për rrugë shtetërore.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami është shprehur se janë ndarë mjete për projektin e tunelit, por pa saktësuar se sa mjete janë ndarë.
“Nuk mund të futet në program nëse nuk është paraparë në buxhet. Pra, derisa jemi dakorduar që të jetë në program dhe derisa janë formuar grupet e punës, sigurisht se është pjesë buxhetit. Besoj se këtë vit do të shpallet tenderi edhe për projektimin e tunelit, por edhe do të nisë projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova deri në hyrje të tunelit.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Rruga Tetovë - Prizren është premtuar po thuajse nga të gjitha partitë shqiptare. Por, kohët e fundit më shumë nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN. E njëjta rrugë është premtuar edhe para kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur qëndroi për vizitë në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Sipas një studim fizibiliteti, rruga Tetovë - Prizren do të kushtojë 200 milionë euro që do të financohet gjysma nga buxheti i Kosovës e gjysma tjetër nga buxheti i Maqedonisë se Veriut.
VISAR SADIKI
