Ekonomi
Ministria e Financave raportoi për buxhetin 2024: Është realizuar në nivel prej mbi 96%
13.01.2025 14:58
Ministria e Financave ka dalë me raport vjetor, ku thuhet se të hyrat dhe shpenzimet në Buxhetin e vitit 2024...

Ministria e Financave ka dalë me raport vjetor, ku thuhet se të hyrat dhe shpenzimet në Buxhetin e vitit 2024 janë realizuar në nivel prej mbi 96%, që është në përputhje me atë që është planifikuar në buxhet, dhe se rritja e të hyrave dhe shpenzimeve krahasuar me vitin paraprak është rreth 10%, ndërsa deficiti buxhetor është më i ulët se vlera e planifikuar për 2.5 miliardë denarë dhe është në nivel prej 4.4% të PBB-së.
“Të hyrat e përgjithshme në Buxhetin e vitit 2024 janë realizuar në vlerë prej 306.3 miliardë denarëve ose 96.3% nga ajo që ishte planifikuar. Të hyrat nga tatimet janë realizuar në vlerë prej 99.7%. Këto të hyra tatimore dhe kontribute janë realizuar në vlerë prej 283.6 miliardë denarëve, të hyrat nga tatimet janë realizuar në nivel prej 177.9 miliardë denarëve. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme në vitin 2024 janë realizuar në vlerë prej 348.5 miliardë denarëve ose 96.1% e planit vjetor dhe janë për 9.4% më të larta se shpenzimet buxhetore të realizuara në vitin 2023. Shpenzimet kapitale në vitin 2024 janë realizuar në vlerë prej 28.7 miliardë denarëve ose 76.8% e vlerës së planifikuar. Për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10D janë realizuar 4.1 miliardë denarë, përkatësisht për vitin 2024 buxheti i paraparë për këtë projekt është realizuar në tërësi.”, thuhet në Komunikatën e Ministrisë së Financave.
Por, nga ana tjetër profesori universitar, Hamit Aliu, tha se Qeveria dhe Ministria e Financave po dalin me një raport të përgjysmuar, sepse e njëjta duhet të japë llogari vetëm për 6 muajt e parë të Qeverisë ose të përmendë që një pjesë e këtyre të dhënave statistikore i takojnë edhe Qeverive të kaluara. Sipas profesorit Aliu, këto të dhëna nuk përkojnë me realitetin në vend.
“Qeveria do të kishte dashur të jetë më e rezervuar në këtë aspekt nga shkaku se kjo Qeveri ka ardhur diku në kuartalin e fundit të vitit, dhe është gjë normale dhe është vazhdimësi e politikës fiskale të dikujt apo e një Qeverie të mëparshme që e ka planifikuar, por kjo nuk është tërësia e aktivitetit. Qeveria mund ta japë mendimin e saj tash një vit, praktikisht politika fiskale dhe politika monetare janë dy shtylla kryesore, të cilat përcaktojnë politikën ekonomike të një shteti. Se nuk mund t’i të lavdërohesh me një ekspansion të madh ekonomik kur akoma paga minimale është diku tek 300 apo 350 euro. Sidomos për Qeverinë e tanishme, ky është një alarm që të ndryshon kompozimin apo ta ndryshon kahjen e mënyrës së planifikimit të politikës sociale, për shkak se kjo ndikon në aspektin ekonomik, në aspektin politik dhe në aspektin social të një shteti.”, - deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.
Sipas Ministrisë së Financave është veçanërisht e rëndësishme fakti që deficiti buxhetor me rebalancin e buxhetit ishte projektuar në nivel prej 4.9%, ndërsa në vitin 2024 deficiti buxhetor është realizuar në nivelin prej 4.4% të PBB-së ose në vlerë absolute më të ulët për 2.5 miliardë denarë. Gjithashtu, borxhi publik do të jetë më i ulët se ai që është projektuar dhe me gjasë do të jetë në nivel prej 62.2%.
FITIM KRYEZIU
