Maqedoni
Faktori shqiptar në vendimmarrje, Selmani: Defekt, mungesa e unitetit
13.01.2025 15:15
Fuqia politike e subjekteve shqiptare në vendimmarrje nuk i kënaq pritshmëritë e shqiptarëve....

Fuqia politike e subjekteve shqiptare në vendimmarrje nuk i kënaq pritshmëritë e shqiptarëve. Ky është konstatimi i përgjithshëm i një pjesë të analistëve dhe njohësve të mirë të çështjeve të brendshme politike. Sipas profesorit universitar, Bashkim Selmani, kjo ka ndodhur për shkak të mos unifikimit të partive shqiptare rreth çështjeve më të rëndësishme për shtetin dhe kombin shqiptar.
“Subjektet politike shqiptare, qofshin pozitë apo opozitë, deri tani nuk kanë treguar asnjë pikë të përbashkët, e cila do t’i bashkonte për të vepruar apo për të marrë një vendim real për interesin e votuesve dhe ato premtime që ua bënë në fushatën elektorale. Po ashtu mentaliteti i inferioritetit apo mënyrës së komunikimit sa i përket raporteve votues-subjekteve politike është fatkeqësi që gjithmonë subjektet politike shqiptare në fushatë elektorale flasin, mbrojnë interesat kombëtare shqiptare dhe nga momenti që marrin rolin dhe pozitën në aspekt të funksionalitet të institucioneve dhe të shtetit, gjithmonë kanë rënë me dashje apo pa dashje në tendenca apo nën grackën e subjekteve politike maqedonase, të cilat si synim bazë kanë tri elemente: mbrojtja e shtetit, mbrojtja e interesit kombëtar maqedonas dhe fuqia e tyre juridike e heshtur.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Atanasovski: Fuqia politike, pak më e zbehur
Edhe politikologu Bllagojçe Atanasovski, me mendim të ngjashëm. Duke u thirrur në stagnimin e procesit integrues dhe ndryshimeve kushtetuese ende të pamiratuara, thotë se fuqia politike e subjekteve shqiptare është pak më e zbehur. Fronti Evropian e ka shumë të vështirë t’i imponojë qëndrimet e saja nga opozita, ndërsa faktorizimi i tërësishëm i koalicionit VLEN në vendimmarrje, analizon më tej Atanasovski, do të varet nga rezultatet e zgjedhjeve lokale.
“Sa i përket BDI-së, ajo tani ndodhet në opozitë, nga pozita e opozitës po tenton t’i imponojë qëndrimet e saja politike, por e ka vështirë që të ndikojë dhe të faktorizohet në proceset politike. Mendoj se këtë vit do të thyen shtizat rreth asaj se kush do ta fitojë legjitimitetin e qytetarëve në zgjedhjet lokale në nëntor të këtij viti. Mendojë këtu do të jetë ballafaqimi më i madh mes partive shqiptare dhe nga kjo do të varet në të ardhmen që ata se si do të imponohen në skenën politike për t’u faktorizuar.”, - theksoi analisti, Bllagojçe Atanasovski.
Arsovski: Partitë shqiptare, faktorë kryesorë
Mendim ndryshe ka analisti politik, Petar Arsovski, i cili vlerëson se partitë shqiptare, qoftë nga opozita ose pozitë, kanë qenë dhe do të mbeten faktorë kryesorë në vendimmarrje.
“Për mendimin tim, partitë shqiptare mbeten faktorë kryesorë në vendimmarrje, por ka një antagonizëm të intensifikuar që reflektohet si një etnocentrizëm i ri në politikë.”, - u shpreh analisti, Petar Arsovski, për TVM2.
Andaj, analistët vlerësojnë se në këto momente është më se e nevojshme që të gjitha partitë shqiptare, qofshin ato nga opozita apo pozitë, të unifikohen mes një platforme kombëtare të përbashkët, përmes së cilës nuk do të marrin pjesë medoemos në një Qeveri, pa kërkuar garanci se do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe do të vazhdojë procesin eurointegrues të vendit, pasi që integrimi i vendit në BE është prioritet i të gjitha partive shqiptare.
REXHEP QAMILI
