Maqedoni
Penalja mori vendim për rastin “Fortesa”, Jankullovska është liruar nga akuzat, 27 vjet burg për tre ish-zyrtarë të tjerë
13.01.2025 15:32
Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, është liruar nga akuzat në rastin “Fortesa”...

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, është liruar nga akuzat në rastin “Fortesa” lidhur me përgjimet masive, ku në mesin e të akuzuarve ishte edhe ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov, të cilit iu vjetërsuan veprat në rastin më të madh “Shënjestra-Fortesa”. Kështu u bë e ditur sot gjatë aktgjykimit në Gjykatën Themelore 1 në Shkup. Ish-shefi i kabinetit të Mijalkovit, Toni Jakimovski, mori dënim prej 3 vitesh burg, ku përfshihet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Në mungesë u dënuan edhe Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, që u arratisën dhe nuk u ekstraduan nga Greqia. Grujevski u dënua me 14 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Boshkovski me 9 vjet e 10 muaj. Mbrojtja është e kënaqur me lirimin e ish-ministres, Gordana Jankullovska, ndërsa për Toni Jakimovskin do të dorëzohet ankesë deri te Gjykata e Apelit.
“Gjyqi i ka pranuar qëndrimet e mbrojtjes, se te Gordana Jankullovska aspak nuk ka pasur as paramendim, as qëllim, që të shkatërrohet pajisja e caktuar, e aq më pak t’i bëhet dëm shtetit dhe MPB-së. Jemi të kënaqur nga gjykimi, presim që Apeli të konfirmojë të njëjtën. Presim që në një proces civil të përcaktohet se kush e ka kryer përgjimin dhe të jepet drejtësi për dëmin jomaterial që ka pësuar Jankullovska.”, - deklaroi bashkëshorti dhe avokati i Jankullovskës, Vllatko Ilievski.
“Për vendimin që sollën për Toni Jakimovskin, nga ajo që ishte potencuar nga ana e Gjyqit, nuk jemi të kënaqur dhe sigurisht se në atë pjesë do të bëjmë ankesë.”, - theksoi avokati i Toni Jakimovskit, Ljupço Shfërgovski.
Përndryshe, gjykimi i përsëritur për çështjen "Fortesa" pasoi, u vjetërsua aktgjykimi për pjesën e parë të këtij rasti, të njohur si “Target”, që kishte të bënte me përgjimet masive të mijëra qytetarëve. Rasti "Target-Fortesa" ishte objekt kritikash, pasi, para se të shfuqizohej vendimi, çështja qëndroi në sirtar për nëntë muaj në duart e gjyqtarit të Apelit, Enver Bexheti. Këshilli Gjyqësor e ndëshkoi atë me gjobë për këtë vonesë. Në dhjetor të vitit të kaluar, gjyqtari Bexheti u përfshi në listën e zezë të ShBA-së për shkak të "përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm".
ERSAN PAJAZITI
