Maqedoni

Katër ligjet për reforma në Administratë, Karaji: Duhet të miratohen dhe implementohen

13.01.2025 15:46

Ligjet që favorizojnë reformat në Administratën Publike, sidomos ligjet që janë pjesë e agjendës reformuese 2024-2027...

Ligjet që favorizojnë reformat në Administratën Publike, sidomos ligjet që janë pjesë e agjendës reformuese 2024-2027, pasi të miratohen duhet të vijojnë edhe të implementohen sipas kalendarit të kërkuar nga BE-ja, në mënyrë që t’i përafrohemi legjislacionit evropian, thotë Julijana Karaji nga Instituti për Politika Evropiane. Duke folur për katër ligjet të cilat në dhjetor i shpalosi ministri i Administratës, Goran Minçev, Karaji thekson se këto ligje ndikojnë direkt në avancimin e procesit aderues të RMV-së në BE, sepse janë pjesë kryesore e klasterit të parë, për çka pati vërejtje edhe në raportin e fundit të progresit, ku reformat në administratë u notuan me nivel të moderuar.
 
“Për dijeninë time, tashmë në Regjistrin kombëtar elektronik të rregulloreve janë vënë katër ligjet dhe procesi i konsultimeve do të zgjasë deri më 27 janar. Këtu bëhet fjalë për Ligjin për nëpunës administrativ, Ligji për menaxhment të lartë, si dhe Ligji që ka të bëjë me akademinë e përsosjes profesionale, i cili paraprakisht duhet të formohet, si dhe Ligji për mbikëqyrje inspektuese. Prej nesh pritet që të dëshmohen rezultate konkrete në përfundim të dhjetorit të vitit 2025, 2026, 2027.”, - deklaroi Julijana Karaji nga Instituti për Politika Evropiane.
 
Rama: Politika ngulfat punën administrative
 
Për analistin politik, Ariton Rama, Administrata është e ngulfatur, joprofesioniste dhe e dirigjuar nga partitë në pushtet. Sipas tij, tejkalimi i kësaj sfide kërkon strategji dhe vullnet politik.
 
“Ngulfatja e procesit dhe njëkohësisht eliminimi real i punës racionale të Administratës Publike është kritika kryesore e BE-së, sepse BE-ja në bazë të standardeve të së cilave caktohet funksionimi i ligjeve të Administratës Publike i takon publikut, popullit, për t’ua lehtësuar proceset, ku nuk duhet të ketë as element korruptim, por përkundrazi, të ketë profesionalizëm sa më të madh.”, - theksoi analisti politik, Ariton Rama.
 
Me këto katër draft-ligje për reformat në Administratë Publike, ministri Minçev konsiston në departizimin e Administratës, punësimet të bëhen kryekëput mbi bazën e meritave, ndërsa çdo konkurs të publikohet dhe zgjedhja e kandidatëve të bëhet përmes një procesi të drejtë, konkurrues trepjesësh: kontroll dokumentesh, testim dhe intervistim. Mes tjerash, ligjet parashohin edhe reduktimin e disa pozitave të funksionarëve, ndërsa Agjencia për Administratë të kalojë në kompetenca të Ministrisë. Sipas planifikimit, pasi ligjet të kalojnë fazën e shqyrtimit publik deri në fund të muajit janar, pritet të hyjnë në procedurë në Kuvend në muajin shkurt.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU