Interpelanca ndaj Dautit, Dauti: Do të zgjedh lirinë e deputetes
Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi...

Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Rini dhe Demografi, Ilire Dauti, parashikon të tërhiqet nga detyra kryetare e Komisionit për Politikë Sociale.
Në reagimin e saj, Dauti do të zgjedhë të veprojë si deputete pasi interpelancën e votuar ndaj saj e vlerëson si zgjedhje midis largimit ose veprimit nën diktat të “Së Majtës” dhe VMRO – DPMNE-së.
“Interpelanca e votuar në Kuvend, ashtu edhe siç u miratua edhe konkluza nënkupton largimin tim ose veprimin tim nën diktatin e “Së Majtës” dhe VMRO-së. Përballë të zgjedhurit në mes humbjes së pozicionit të kryetares së komisionit dhe veprimit nën diktat, sipas kushteve të përcaktuara nga “E Majta” dhe të propozuara si konkluzion nga Afrim Gashi, mos keni asnjë dyshim që do të pranoj lirinë e veprimit si deputete, ashtu siç e kam bërë deri tani, e lirë dhe e pavarur.”, është shprehur Dauti.
Por, Zijadin Sela, kryetar i ASh-së pjesë e Frontit Evropian është shprehur se partia e tij s’do ta pranojë dorëheqjen e Dautit dhe se ajo do të mbetet kryetare e komisionit. Nga kabineti i Gashit ripërsërisin se Dauti me votëbesimin nuk është shkarkuar, por deputetët vetëm se janë shprehur për qëndrimin e tyre ndaj saj, pa kurrfarë pasojash juridike.
Emërimet dhe shkarkimet, sipas kabinetit të Gashit rregullohen me procedura të tjera të posaçme sipas rregullores së Kuvendit.
Mexhiti: Dauti mbetet kryetare e komisionit
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se Dauti mbetet kryetare e komisionit.
“Theksoj se Ilire Dauti ishte kryetare e komisionit dhe do të mbetet kryetare e së njëjtës. Ndoshta kemi shumë vërejtje për atë, por kur ka iniciativë nga “E Majta”, ne jemi kundër. Andaj do ta mbështesim Dautin.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Në Kuvend të premten, deputetët me 61 vota mbështetën interpelancën ndaj kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Dauti, e iniciuar nga deputetët e “Së Majtës” me pretekstin se ajo ka bllokuar ligjin për të ashtuquajturit “branitella”. (Meral Ismaili, TVM2)
