Vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Lajçak: Fokusi te takimi i parë janë të zhdukurit
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë...

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Në postimin e bërë në Fejsbuk, Lajçaku nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin. Ky komision është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, zotimet që përfshin ajo, si qasja e plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja, kanë mbetur pa u zbatuar.
Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.
