Botë

Armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, marrëveshja pritet të arrihet këtë javë

14.01.2025 13:51

Pas më shumë se 15 muaj luftime, këtë javë pritet që të arrihet marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit...

Pas më shumë se 15 muaj luftime, këtë javë pritet që të arrihet marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gazë. Bisedimet midis përfaqësuesve të Izraelit dhe Hamasit kanë rifilluar sot në kryeqytetin e Katarit, Doha. Udhëheqësi në largim i ShBA-së, Xho Bajden, në fjalimin e tij të fundit si president tha se kjo marrëveshje do të përfshijë lirimin e pengjeve dhe do të jetë një mundësi për të ndihmuar palestinezët.
 
“Kaq shumë njerëz të pafajshëm janë vrarë, kaq shumë komunitete janë shkatërruar. Populli palestinez meriton paqen. Marrëveshja do të lironte pengjet, do të ndalonte luftimet, do t’i jepte siguri Izraelit dhe do të na lejonte të rritim ndjeshëm ndihmën humanitare për palestinezët që vuajtën tmerrësisht në këtë luftë që filloi Hamasi.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit ka theksuar se  mosmarrëveshjet kryesore në negociata janë tejkaluar dhe se janë në pikën më të afërt me këtë marrëveshje prej muajsh. Sipas tij, draftet e marrëveshjes i kanë të dyja palët dhe se janë drejt përfundimit.
 
Faza e parë e armëpushimit do të zgjasë 60 ditë, ku priten të lirohen 33 pengje izraelite. Më pas, Izraeli do të lirojë nga burgjet të burgosur dhe të ndaluar palestinezë, por jo edhe luftëtarët e Hamasit që morën pjesë në sulmin fillestar ndaj Izraelit. Në marrëveshje është parashikuar edhe tërheqja e forcave izraelite dhe rritja e konsiderueshme e ndihmave humanitare. 
 
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 46.645, ndërsa i të plagosurve në 110 mijë.
 
ARMEND MURSELI