Maqedoni
Prokuroria Themelore e Manastirit ka hapur 6 procedura parahetimore për keqpërdorime
14.01.2025 14:14
Prokuroria Themelore e Manastirit ka hapur gjashtë procedura parahetimore për keqpërdorime eventuale....

Prokuroria Themelore e Manastirit ka hapur gjashtë procedura parahetimore për keqpërdorime eventuale gjatë prokurimit me termocentralet e Maqedonisë se Veriut. Kryeprokurori Ljupço Kocevski, në një intervistë të dhënë për “360 Gradë” zbuloi se Prokuroria është duke punuar intensivisht, po grumbullon provat, janë angazhuar edhe ekspertë të MPB-së për të parë se në çfarë mënyrë është bërë prokurimi, jo vetëm te termocentralet e Maqedonisë, por edhe te “Rek Manastiri” dhe burimet tjera energjetike.
“Prokuroria Themelore Publike e Manastirit aktualisht është duke punuar në gjashtë procedura parahetimore për tenderime. Përveç kësaj, është duke punuar edhe lëndë tjera, lidhur me blerjen e qymyrit dhe mazutit, që do të thotë se ka shumë punë. Po grumbullohen provat. Në një pjesë të këtyre procedurave parahetimore është aktivizuar edhe Ministria e Brendshme dhe Byroja e Sigurisë Publike, ndaj pres që së shpejti të kemi rezultate.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Sa i përket lëndës së “Lotarisë Shtetërore” në të cilin është i dyshuar Artan Grubi, Kocevski thotë se ai nuk është dashur të largohej nga shteti, sepse ndaj tij PThP-ja kishte shqiptuar masën “Stop”. I pyetur nëse është lejuar qëllimisht ose jo Grubi për t’u arratisur, Kocevski tha se për policin është hapur procedurë në Prokurori, ndërkohë Prokuroria po heton nëse fajin e ka vetëm polici apo janë përfshirë edhe disa të tjerë.
“Ndaj personit që e ka lëshuar, është iniciuar procedurë në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duke qenë se ai është punonjës policie. Deri më tani nuk mund të japim detaje të hollësishme nëse ai ka qenë në kontakt me Grubin ose jo. Mund të them se janë ndërmarrë veprime, janë marr video incizimet nga kamerat e sigurisë, po merren në pyetje dëshmitarë për të parë nëse vetëm ai është përgjegjës për ikjen e tij apo ka edhe persona të tjerë.”, - theksoi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Kocevski thotë se deri në këto momente në PThP nuk ka prova kundër ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, mirëpo po verifikohen pretendimet e MPB-së për të parë nëse është edhe ai përgjegjës.
REXHEP QAMILI
