Rajon

Rute dhe Kos: NATO-ja dhe BE-ja ndjekin me vëmendje zgjedhjet në Kosovë

14.01.2025 14:33

Në Kosovë në rrjedhë e sipër është fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit....

Në Kosovë në rrjedhë e sipër është fushata parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. Zhvillimet në Kosovë dhe rajon, e sidomos situatën e sigurisë po i ndjek me vëmendje NATO-ja, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. Duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, njeriu i parë i aleancës veriatlantike konfirmoi se janë në kontakt të përhershëm si me Prishtinën, ashtu edhe Beogradin.
 
"Ne jemi në kontakt natyrisht me Kosovën, por edhe me Serbinë, për t'u siguruar që zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë në fillim të muajit shkurt, nuk do të çojnë në destabilizim. Kjo gjë është kyçe.", deklaroi Rute. 
 
Edhe BE-ja po i ndjek me vëmendje zgjedhjet në Kosovë, ka thënë komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos. Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.
 
"Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim, sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia.", tha Kos, duke folur para deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.
 
GYLTENE SINANI