Maqedoni
Punonjësit e disa ministrive protestojnë për rritjen e pagave
14.01.2025 14:50
Rreth 4.000 punonjës filluan protestat e tyre dhe të njëjtit kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive që do t’u sigurojë rritje pagash prej 30 për qind...

Rreth 4.000 punonjës në Ministritë e Ekologjisë, Bujqësisë, Transformimit Digjital, Drejtësisë, Kulturës, Ekonomisë dhe Punës, Transportit, Entit Shtetëror të Statistikave dhe Arkivit, filluan protestat e tyre dhe të njëjtit kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive që do t’u sigurojë rritje pagash prej 30 për qind. Protestat, siç tha kryetari i Sindikatës Tërpe Deanoski, do të vazhdojnë çdo ditë nga ora 11:00 deri në ora 11:30, ndërsa të premten nga ora 11:00 deri në ora 12:00 do të mbahet protestë para Ministrisë së Financave.
“Apelojmë që në seancën e sotme të Qeverisë të futet në rend dite një pikë, e cila do të gjejë mënyrën për të siguruar mjete nga buxheti për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm të punëtorëve. Në periudhën e kaluar, që nga zgjedhja e Qeverisë së re, jemi takuar pothuajse me të gjithë ministrat dhe përmes negociatave me ta, kemi përgatitur bashkërisht një projekt-marrëveshje kolektive. Këto projekt-marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave para miratimit të Buxhetit të vitit 2025, por për arsye të pakuptueshme Ministria e Financave nuk ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës, Tërpe Deanoski.
Protesta paralele u mbajtën edhe para ministrive përkatëse, të punësuarit në Ministrinë e Kulturës shprehën revoltën e tyre dhe kërkuan rritjen e pagave, ashtu siç ndodhi në disa ministri, sepse Qeveria dhe Ministria e Financave në këtë mënyrë po bëjnë trajtime të ndryshme për të punësuarit në administratë.
“Të punësuarit në këtë organ shtetëror, para objektit të Ministrisë së Kulturës, shprehën revoltën e tyre nga të ardhurat e ulëta mujore. Pagat e 70 për qind e të punësuarve janë nën pagën mesatare të vendit. Ne kërkojmë që në mënyrë objektive rritjen e pagave për 30 për qind, ashtu siç ndodhi në Ministrinë e Financave, atë të Mbrojtjes, etj.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së të punësuarve në MKT, Branko Kostovski.
Kurse dy ditë më parë në protestë dolën edhe punonjësit të Avokaturës Shtetërore, të cilët gjithashtu kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive që parashikon rritje shtesë të pagave me 30 për qind. Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve apeluan Qeverinë që të ulet dhe të arrihet marrëveshje që të mos ketë largim shtesë të punëtorëve nga sektori publik. Ata thonë se janë të vetmit të përjashtuar nga rritjet e viteve të fundit. Të punësuarit në këto institucione tregojnë se paga bazë arrin në 26 mijë denarë dhe janë me pagat më të ulëta nga të gjithë të punësuarit e institucioneve të tjera.
FITIM KRYEZIU
