Rajon

Shqipëri, rrugët kombëtare janë të hapura, por jo edhe ato lokale

14.01.2025 15:10

Pas dy ditësh u hap sot “buypass” i Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit, ku lëvizja kryhet me goma dimërore...

Pas dy ditësh u hap sot “buypass” i Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit, ku lëvizja kryhet me goma dimërore. Për shkak të ngricave, akset nacionale që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe Librazhdin janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
 
Rrugët kombëtare janë të hapura, por jo ato rurale ku dëbora shkon deri në 1 metër. Vazhdojnë të mbeten në izolim fshatrat e Dibrës. Në bashkinë Bulqizë të bllokuar kanë mbetur banorët e disa fshatrave, ndërsa shkollat në këto zona vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa ka dhe mungesë të energjisë elektrike.
 
Edhe në Kukës, reshjet e dëborës kanë ndaluar dhe energjia është rikthyer në disa zona, por problem mbeten fshatrat e thellë, të cilat nuk kanë komunikim me rrugët nacionale. Ndërkohë mbetet i pezulluar mësimi në 37 shkolla.
 
Në Qarkun e Korçës gjatë ditës së sotme s’ka reshje dëbore, por temperaturat kanë zbritur në -7 gradë. Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa vazhdon kriposja e tyre. Ka ende probleme me energjinë në disa zona, ndërsa sa i përket rrugëve të fshatrave bëhet me dije se janë të bllokuara nga dëbora, fshati Miras i Devollit dhe fshatrat e Pogradecit.
 
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, tha se po përmirësohet situata në Vlorë, e cila u përmbyt dy ditë më parë.
 
LULJETA NDOKA