Maqedoni

Protestat, Miteva: Dialog, në vend të protestës, mos lejojnë manipulim

14.01.2025 15:29

Qeveria orienton sindikatën e punonjësve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve...

Qeveria orienton sindikatën e punonjësve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve që kërkesat e tyre fillimisht duhet  t’i adresojnë në Qeveri, duke e llogaritur ekzekutivin si partnere dhe të gatshme t’i pranojë sugjerimet e të gjitha institucioneve. Zëdhënësja Marija Miteva thotë se mënyra e organizimit të protestës së punonjësve të disa institucioneve duhet të jetë organizuar pa respektuar totalisht ligjin, ndërkaq kjo lë të kuptojë se prapa tyre qëndron motivi politik. 
 
“Na befason fakti që pikërisht AOGJSh - Sindikata e punonjësve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve si hap të parë ka ndërmarrë protestën, në vend të dialogut që është metodë  dhe mënyrë e parë demokratike e funksionimit. Duam ta rikujtojmë opinionin se vetëm për gjashtë muaj patëm mundësi  të arrijmë marrëveshje për rritje të pagave të të punësuarve në shëndetin publik, në arsim dhe po ashtu u rritën edhe pensionet. Siguruam edhe K15 dhe ritheksoj se jemi të gatshëm për bisedim të secilës temë. Njëherit më lejoni të theksoj se secila protestë duhet të organizohet në pajtim me Ligjin për marrëdhënie pune dhe me marrëveshjet kolektive të jetë i paralajmëruar në harmoni me Ligjin. Si Qeveri, gjërat i shohim realisht dhe nuk jemi të kënaqur me nivelin e pagave në administratë, por përsëris se dialogu është mënyrë e vërtetë e gjetjes së zgjidhjes.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. 
 
LSDM: Jemi me punëtorët, Qeveria t’ua rritë pagat
 
LSDM-ja e përkrahi revoltën e punëtorëve në sektorin publik dhe i përkrah kërkesat e tyre për rritje të pagave, të cilat, sipas kësaj partie, janë plotësisht të justifikuara.
 
“Qeveria ka obligim të sigurojë kushte për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe rritjen e pagave. Pagat janë në stagnim, fuqia blerëse e punëtorëve po zvogëlohet, ndërsa politikat e Qeverisë Mickoski janë reduktuar në shërbim të interesave të ngushta të biznesit të elitës.”, thonë nga LSDM.
 
VMRO: Rritjen e standardit e kemi përkushtim
 
VMRO-ja nga ana tjetër thotë se Qeveria e udhëhequr nga ajo mbetet e përkushtuar për ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve të vendit.
 
“Këtë vit do të ketë sërish rritje të pagës minimale, si dhe të të gjithave pagave të tjera.  Rritja e pagave dhe e standardit jetësor është angazhim prioritar i Qeverisë dhe kjo do të arrihet në mënyrë të qëndrueshme nëpërmjet rritjes ekonomike.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU