Shkarkimi i Dautit, pezull, VLEN: Dauti vazhdon të jetë kryetare e Komisionit
Drejtimi i Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini...

Drejtimi i Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini nga deputetja Ilire Dauti vazhdon të jetë pezull, pasi të premten deputetët me 61 vota konstatuan shkelje ndaj rregullores.
Nga koalicioni VLEN thonë se ajo vazhdon të jetë në krye të këtij trupi parlamentar dhe tërheqja eventuale do të ishte vetëm me vendimin e saj personal.
“Kjo situatë varet nga vullneti i saj. Mund të ketë rast që ajo vet të japë dorëheqje, por vendimi është i saj. Votimi i interpelancës nuk nënkupton shkarkimin e saj. Për shkarkimin e saj do të duhet të ndiqet procedurë tjetër, këtë shumë e mirë e sqaruan edhe kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe Ilire Dauti vazhdon të mbetet kryetare e këtij komisioni, derisa nuk ngritet ndonjë procedurë tjetër, ashtu siç e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit të RMV-së.”, - deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
VMRO: Dauti nuk ka kredibilitet moral
Mirëpo nga VMRO – DPMNE-ja pohojnë se Dauti nuk ka kredibilitet moral që të udhëheqë me komisionin, pasi të premten deputetët konstatuan se ajo ka shkelur rregulloren.
“Askush nuk konteston të drejtën e koalicionit opozitar i kryesuar nga VMRO – DPMNE, që të propozojnë kryetar të ri të komisionit. Ne jemi të sigurt se koalicioni LSD-BDI-“E Majta” do të mbështesin propozimin e ri, sikurse shpeshherë koordinojnë aktivitetin opozitar në Kuvend.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO – DPMNE.
Edhe lëvizja “E di”, pjesë e Qeverisë ka kërkuar nga Fronti Evropian emrin e kandidatit të ri për kryetar të komisionit. Ndërkaq, LSDM-ja ka ftuar kryeparlamentarin, Afrim Gashi, të thotë se cili do të jetë veprimi i radhës, pasi interpelanca nuk prodhoi efekte juridike.
Edhe pse deputetja Dauti tha se është vendosur midis dy zgjedhjeve të veprojë nën trysninë e “Së Majtës” dhe VMRO-së ose të tërhiqet, ajo paralajmëroi veprimin e lirë si deputete, por Zijadin Sela, kryetar i ASh-së brenda Frontit Evropian, tha se s’do të lejojnë Dautin të braktisë komisionin. (Meral Ismaili, TVM2)
