Kuvend, Gashi takon Filipidun dhe Matiasenin

14.01.2025 17:13

Kryeparlamentari, Afrim Gashi, realizoi takim...

Kryeparlamentari, Afrim Gashi, realizoi takim me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofija Filipidu.

Në takim u shkëmbyen mendime për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit parlamentar bilateral në të gjitha nivelet, si dhe për nevojat e mundshme për të ndërmarrë hapa për pasurimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë midis dy vendeve.

Ambasadorja Filipidu informoi mbi zhvillimet aktuale në Republikën e Greqisë dhe procedurën e zgjedhjes së presidentit të shtetit, i cili, në pajtim me Kushtetutën, kryhet përmes zgjedhjes në Parlamentin Grek.

Shprehu pritshmërinë që pas përfundimit të këtij procesi do t’i kushtohet më shumë vëmendje nisjes së bashkëpunimit më dinamik me kolegët grekë.

Kryeparlamentari Gashi, duke e përshëndetur mbajtjen e këtij takimi, u shpreh i hapur për vizita të ndërsjella me homologët e Kuvendit të Greqisë, por edhe në nivel të komisioneve dhe grupeve të bashkëpunimit, të cilët gjatë të gjitha mandateve të kaluara kanë shprehur interesim për bashkëpunim konkret, veçanërisht në fushën e integrimit evropian.

Kryeparlamentari Gashi realizoi takim me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Erik Matiasen. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja jorezidente e Norvegjisë, Kristin Melsom.

Të dy bashkëbiseduesit i përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë, duke theksuar se ato janë forcuar edhe më tej përmes anëtarësimit në NATO.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për avancimin e rrugës së anëtarësimit të vendit, duke qenë se Matiaseni ka përvojë shumëvjeçare lidhur me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.