Botë
Mbyllen 28 komuna paralele serbe në Kosovë
15.01.2025 11:32
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në mëngjesin e së mërkurës...

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.
"Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, të Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt. Me aksion të përbashkët përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.", thuhet në postimin e Sveçlës.
Në videon e publikuar nga Sveçla shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se "nga sot, këto 28 komuna paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht".
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ndodhet aktualisht në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit - e quajti këtë aksion sulm dhe tha se një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun.
