Maqedoni
Tetovë, anulohet sërish seanca për Spitalin Modular
15.01.2025 13:24
Për herë të katërt seanca për Spitalin Modular në Tetovë është shtyrë për në muajin mars....

Për herë të katërt seanca për Spitalin Modular në Tetovë është shtyrë për në muajin mars. Ish-drejtori i Spitalit të Tetovës si i akuzuar për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, Florin Besimi tha se ky përfundim i procesit po vonohet. Sipas Besimit, kjo duhet të përfundojë sa më shpejt. I pyetur se çfarë pret nga rigjykimi, Besimi tha se pret që të merren parasysh vendimet dhe rekomandimet e gjyqit më të lartë.
“Fatkeqësisht përfundimi i procesit gjyqësor po vonohet. Dëshira ime ishte që sa më parë të përfundojë ky proces që të vijë në shprehje fjala e fundit e drejtësisë. Nga rigjykimi pres që ky gjyq t’i merr parasysh rekomandimet dhe vendimet e gjyqit më të lartë.”, - deklaroi ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi.
Përndryshe, më 8 shtator të vitit 2021 jetën e humbën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan. Ndryshe, në vitin 2023, Gjykata Themelore Penale në Tetovë dënoi Florin Besimi dhe Artan Etemin me 1 vjet e 6 muaj burg me kusht dhe 1 milion denarë dënim me para, ndërsa Boban Vuçevski dhe Klinika e Tetovës si institucion u liruan nga akuzat. Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Gostivar ktheu në rigjykim rastin. Seanca e radhës do të mbahet më 15 mars të këtij viti.
VISAR SADIKI
