Maqedoni
Të punësuarit në MKT protestojnë për rritjen e pagave
15.01.2025 13:37
Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve kanë protestuar para Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Shkup...

Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve kanë protestuar para Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në Shkup, për shkak të pagave të ulëta që marrin këta të punësuar. Të punësuarit kërkojnë marrëveshje të re kolektive me të cilin do të aprovohet rritja e shtesave në paga prej 30 për qind.
“Jemi këtu para Ministrisë së Kulturës për të shprehur pakënaqësinë tonë prej të ardhurave të ulëta mujore që marrim. Dua t’ju informoj se pagat e rreth 70 për qind të të punësuarve në këtë ministri janë nën nivelin e pagës mesatare në vend, ndërsa diferenca e pagës me të punësuarit e tjerë në të njëjtat pozita në organet tjera shtetërore është 30 për qind. Sindikata e të punësuarve pranë Ministrisë së Kulturës që para dy vitesh ka përpiluar një propozim të marrëveshjes kolektive, i cili parasheh rritje objektive dhe korrekte të pagave prej 30 për qind.”, - deklaroi kryetari i Organizatës Sindikale në MKT, Branko Kostovski.
“Kërkesat janë të njëjta, andaj u bëjmë thirrje përfaqësuesve të Qeverisë dhe të ministrive që sa më parë t’i fillojmë negociatat, ku do të gjejmë gjuhë të përbashkët për këtë problem.”, - theksoi kryetari i SPOGJ-it, Tërpe Deanovski.
Të punësuarit në Ministrinë e Kulturës edhe në vitin 2023 protestuan rreth 21 ditë me radhë për të njëjtin qëllim, të nënshkruhet marrëveshja e re kolektive, me çka do të rriten edhe pagat e të punësuarve, mirëpo prej atëherë e deri më sot, thanë sindikalistët, ende nuk janë aprovuar kërkesat e tyre. Për këtë arsye protestat e sindikatës së punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve do të organizohen çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
REXHEP QAMILI
