Maqedoni

Integrimi i vendit dhe viti 2025, Mucunski: Presim hapa konkrete nga BE-ja

15.01.2025 13:56

Ministri i Jashtëm thotë se vendi ngelet i fokusuar në reforma si dhe rolin konstruktiv për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal...

Në kohën e pasigurisë dhe ndryshimeve gjeopolitike, integrimi i Ballkanit Perëndimor do të ndikonte në përforcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë kontinentale, tha ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. Në mëngjes pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit, Mucunski siguroi vazhdimin e fokusit në reforma, si dhe rolin konstruktiv në fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal. Por, pret edhe nga BE-ja që të realizojë hapa konkrete drejt aspiratave evropiane të vendit, në mënyrë që procesi i zgjerimit ta ruajë kredibilitetin e perspektivës evropiane.

“Këtë vit 2025 shënojmë për fat të keq një jubile famëkeq. 20 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat. Saktësisht, dy dekada ku miratuam  një sërë vendimesh të mëdha, ku bëmë kompromise të dhimbshme në emër të përpjekjes për anëtarësim në BE. Është koha e fundit që ne të vazhdojmë në rrugën e BE-së. Jemi të gatshëm për dialog me vullnet të mirë dhe gjetjen e zgjidhjeve racionale. Është koha që BE-ja të miratojë vendim strategjik se si më tutje do të veprohet me ne.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. 
 
Rokas: Jemi për t’ju ndihmuar, zbatoni reformat
 
Euroambasadori, Mihalis Rokas, e sheh me optimizëm këtë vit për shkak të  përpjekjeve të shumta që janë bërë, duke nënvizuar edhe korridorin 8 dhe 10. Përmendi edhe rëndësinë e miratimit të agjendës reformuese.
 
“Shpresoj se ky vit nuk do të jetë vetëm i prerjes së shiritave, por edhe i procesit aderues. Kemi platformë të mirë me të cilën mund të punojmë, agjenda reformuese është dokument i shkëlqyer, i cili gjithashtu përmban kuti të rëndësishme që duhet të shënohen në vitin 2025. Janë të shumtë dhe bashkë me ekipin e delegacionit të BE-së do t’ju ndihmojnë juve, kryeministrit dhe ministrit për Eurointegrime në progresin e kësaj agjende reformuese. Ka shumë mirëkuptim dhe vullnet të përbashkët që të lëvizë procesi në Bruksel.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas.
 
Euroambasadori Rokas nuk la pa përmendur edhe reformat në gjyqësor, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat i renditi si fushat të cilat i mundësojnë RMV-së që të bëjë hapa konkretë drejt BE-së dhe po ashtu ta kthejnë edhe besimin në shtet. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHI