Ekonomi

Përfundon aksioni “Shporta e Vitit të Ri”

15.01.2025 14:34

Sot përfundon aksioni “Shporta e Vitit të Ri", që nisi më 15 dhjetor 2024...

Sot përfundon aksioni “Shporta e Vitit të Ri", që nisi më 15 dhjetor 2024. Nga Ministria e Ekonomisë vlerësojnë se aksioni në fjalë ka përfunduar me sukses dhe ka dhënë efektin e saj. Theksojnë se kjo shportë parandaloi rritjen e çmimeve para dhe gjatë festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve dhe mbajti një nivel të qëndrueshëm inflacioni në dhjetor 2024 dhe janar 2025. 
 
“Nëse shikojmë këto shifra, besoj se aksioni i Shportës së Vitit të Ri ishte i suksesshëm dhe kontribuoi në uljen e çmimeve të produkteve që përfshiheshin në të. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave nga të dhënat për Indeksin e shpenzimeve të jetesës dhe të çmimeve me pakicë për muajin dhjetor vërehet se inflacioni në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 është 3.5%, siç edhe ishte projektuar. Në bazë mujore, në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me nëntorin e po këtij viti 2024, inflacioni është 0.3%. Të dhënat statistikore tregojnë se në dhjetor 2024, krahasuar me nëntorin 2024, ulja e shpenzimeve të jetesës për ushqime dhe pije joalkoolike është -0.3%.”
 
LSDM: Masa ishte e dështuar, çmimet u rritën
 
Ndërkohë, nga LSDM edhe më tej akuzojnë se politikat e Qeverisë së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së me të ashtuquajturat shporta, rezultuan të dështuara plotësisht. Çmimet nuk janë ulur, por për disa produkte janë rritur. Shportat sollën më shumë dëme për qytetarët. 
 
“Qytetarët e shohin dhe e jetojnë çdo ditë këtë realitet të ashpër nëpër markete dhe dyqane, duke luftuar për të siguruar nevojat elementare për familjet e tyre. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se kostoja e jetesës në dhjetor 2024 është rritur me 4.4% dhe çmimet e produkteve bazë janë rritur me 4.3%. Inflacioni gjithashtu u rrit, në dhjetor 2024 ishte 4.4 për qind më i lartë. Këto të dhëna tregojnë qartë se politikat e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së janë krejtësisht të dështuara dhe të gabuara.”, - deklaroi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: LSDM tani nuk mund të vjedhë, çmimet u ulën
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së. Vlerësojnë se masa ka qenë e suksesshme dhe ka ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. 
 
“Masat e Qeverisë po japin rezultate. Mbi 1.000 produkte u shitën me çmim të ulët. Iku koha si deri tani, kur në vend të qytetarëve, LSD-ja kujdesej vetëm për pasurimin e elitës së tyre. Dhimbja e LSD-së nuk është shqetësimi për qytetarët, shqetësimi i vetëm i tyre është se nuk mund të vjedhin sikurse deri më tani. LSD janë ato që rritën TVSh-në në ushqime, e cila çoi në rritje të çmimeve të produkteve.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Kryeministri, Hristijan Mickoski, në disa paraqitje të tij ka pranuar se disa tregtarë në mënyrë artificiale kishin rritur çmimet e produkteve ushqimore të përshirë në masën e Qeverisë. Masa e fundit ka mbuluar rreth 1.200 produkte, të cilat sipas Ministrisë së Ekonomisë kanë pasur ulje 10%. Nga Ministria e Ekonomisë kujtojnë se do të vazhdojnë të krijojnë masa dhe politika që do të mbrojnë standardin e jetesës së qytetarëve.
 
FLORIJE KAMBERI