Maqedoni
Karnevali i Vevçanit, ASh: Shfaqjet janë më të rënda se vet sulmi
15.01.2025 14:56
ASh e Ziadin Selës ka reaguar ndaj pamjeve të shëmtuara të cilat u panë në Karnevalin e Vevçanit...

Pas pamjeve të shëmtuara të cilat u panë në Karnevalin e Vevçanit, ku disa individë përmes satirizimit shfaqën pamjet e rënda të ngjarjeve të 27 prillit dhe sulmit të rëndë fizik ndaj liderit të ASh-së, Ziadin Sela. Isen Shabani nga ASh, theksoi se shfaqjet në këtë karneval janë edhe më të rënda sesa vet sulmi.
“Dje ishim dëshmitarë të pamjeve të rënda dhe shqetësuese nga Karnevali i Vevçanit ku në formë më të rëndë, morbide dhe skandaloze ironizonin me ngjarjet e 27 prillit dhe tentimi për vrasjen e kryetarit të ASh-së, Zijadin Sela. Ne e kuptojmë edhe folklorin, edhe satirën, por nuk lejojmë të bëhet satirë me tragjeditë personale dhe me ngjarje të rënda që paraqesin në vete një akt terrorist, e aq më pak kur tallja bëhet me viktimën.”, - deklaroi Isen Shabani nga ASh.
BDI: Akt i papranueshëm, shkel dinjitetin njerëzor
Ndërkohë nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se kjo është një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe një provokim i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin shoqëror.
“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon me ashpërsi aktin e papranueshëm të talljes dhe satirizimit të tentativës për vrasje ndaj Ziadin Selës, i cili ndodhi gjatë Karnevalit të Vevçanit. Kjo është një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe një provokim i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin shoqëror. Është e paimagjinueshme që një ngjarje kaq serioze, që ka tronditur shumë qytetarë dhe që ka lënë pas pasoja të rënda për jetën e individëve, të përdoret si objekt talljeje dhe urrejtjeje në një aktivitet publik.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga ASh dhe BDI kërkojnë nga autoritetet kompetente, por edhe faktorët politik, që t’i ndëshkojnë veprimet e tilla, sepse të njëjta prekin ndjenjat e një populli të tërë dhe se personat që shfaqën këtë vepër duhet të marrin dënimin e merituar.
FITIM KRYEZIU
