Kosovë, shënohet 26-vjetori i masakrës së Reçakut
Në Kosovë u shënua 26-vjetori i masakrës së Reçakut...

Në Kosovë u shënua 26-vjetori i masakrës së Reçakut, ku forcat serbe asokohe vranë 45 civilë shqiptarë.
Me këtë rast, pasi bëri homazhe, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uollker, i cili kishte ndërkombëtarizuar këtë masakër, ripërsëriti se kjo ishte një masakër dhe krim kundër njerëzimit.
“Nga ajo që pashë nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.”, - deklaroi ish-shefi i misionit të OSBE-së, Uilliam Uollker.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, si dhe morën pjesë edhe në akademinë përkujtimore.
“Në një ditë të zymtë të janarit ‘99, 45 banorë të Reçakut, ndër të cilët burra, gra e të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet vetëm më këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë, i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në këtë përvjetor nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka thënë se drejtësia dhe përgjegjësia për krimet e bëra në Reçak mbeten të vonuara. (Gyltene Sinani, TVM2)
