Ukrainë, ushtria ruse sulmon infrastrukturën energjetike, Zelenski: Të rrezikshme kërcënimet e reja nga dronët rus

15.01.2025 16:59

Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën....

Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën. Së fundmi sulme intensive ka kryer kundrejt infrastrukturës energjetike, duke përdorur raketa dhe dronë.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski ka deklaruar se në mes të dimrit objektivi i rusëve pikërisht është sektori i energjetikës.

Sipas tij, ushtria ruse në këtë sulm ka përdorur më shumë se 40 raketa, duke përfshirë raketa balistike dhe se të paktën 30 raketa u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

“Jo më pak të rrezikshme janë kërcënimet e reja nga dronët që Rusia mund të përdorë për të destabilizuar objektet e infrastrukturës në kontinent, si aeroportet apo termocentralet. “Ne të gjithë duhet të koordinojmë punën tonë së bashku për një siguri më të madhe për vendet tona.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Gjermania do të dërgojë 60 raketa në Ukrainë

Ndërkohë Gjermania do të dërgojë 60 raketa shtesë IRIS-it në Ukrainë për të forcuar aftësitë e saj të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve ruse. Raketat me vlerë 60 milionë euro do të sigurohen nga stoqet e Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Rute: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është ndezur

Edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Rute, ka ngritur shqetësimin. Sipas tij, alarmi i kuq është duke u dhënë edhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

"Siguria jonë e së ardhmes është në rrezik. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është ndezur. Veprimet armiqësore ruse kundër vendeve tona po përshpejtohen me sulme kibernetike, tentativa për atentat, akte sabotimi dhe më shumë. Rusia po punon për të dobësuar demokracitë tona dhe për të kërcënuar lirinë tonë.”, - theksoi sekretari gjeneral i NATO-s, Mark Rute.

Sipas autoriteteve të Kievit, ndërprerjet e energjisë kanë ndodhur në rajonet Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhia, Dnipropetrovsk dhe Kirovohrad. (Armend Murseli, TVM2)