Instituti i Shëndetit Publik, përplasen BDI me VMRO-DPMNE-në

15.01.2025 17:15

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, e cila sipas tyre po ndjek një qasje të hapur diskriminuese, me qëllim të nënshtrimit dhe përjashtimit të shqiptarëve nga ky institucion.

“Që nga dita e parë në detyrë, Andonovska ka demonstruar hapur qëllimin e saj për të reduktuar praninë e shqiptarëve në këtë institucion, duke nisur me largimin e 8 punonjësve shqiptarë në administratën e Institutit, profesionistë dhe teknik laborantë dhe infermierë, largime nga pozitat udhëheqëse, izolim në zyra të veçanta dhe trajtim të pabarabartë në organizimin e punës.”, - thonë nga BDI.

Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, BDI reagon për shkak se ka përfunduar krimi që është bërë në këtë institucion, me të cilin për 15 vite ka udhëhequr kuadër i BDI-së.

“Çdoherë kur reagon BDI-ja, opinioni duhet ta dijë se mbron krimin. Arsyetimi për mbulimin e krimit është shqetësimi i tyre për gjoja të drejtat e shqiptarëve. Kur flasin për diskriminimin e shqiptarëve dihet se atëherë më shumë vjedhin. Me fjalë të tjera kriminelët janë kriminelë”

Marija Andonovska ka ndërprerë mosardhjen në punë të anëtarëve të BDI-së dhe LSDM-së që marrin rroga pa punuar, thuhet më tej në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. (Fitore Demolli, TVM2)