Maqedoni

Enti i statistikave, protestë gjysmë orëshe për rritje pagash

16.01.2025 13:39

Sindikata e të punësuarve në administratë, organet gjyqësore dhe shoqatave qytetare...

Sindikata e të punësuarve në administratë, organet gjyqësore dhe shoqatave qytetare, me anë të protestës gjysmë orëshe para Entit të statistikave kërkuan rritjen e pagave për 30 për qind. Të punësuarit e entit të statistikave janë pjesë e protestave të nëpunësve të disa ministrive dhe institucioneve tjera shtetërore që kërkojnë rritje pagash. Kryetari i kësaj sindikate, Tërpe Deanoski, tha se të punësuarit e Entit të statistikave janë ndër më të angazhuarit me punë, ndërsa me rrogat më të ulëta në vend. Ai u ankua edhe për vonesën e pagave në inspektorate.  
 
“Në këtë moment, 988 të punësuar ende nuk e kanë marrë rrogën për muajin dhjetor. Bëhet fjalë për të punësuarit në të gjitha inspektoratet në vend. Për shkak të vonesave të Ministrisë së Financave, e cila në kohë nuk i ka marr obligimet e saja në përputhje me ndryshimet ligjore, ka lënë 988 të punësuar pa rroga, pa kthimin e kredive, pa paguar faturat në muajin më të gjatë të vitit. Dje ka skaduar afati ligjor për dhënien e rrogave që duhet të bëhet më së voni në ditën e 15 të muajit dhe nuk ka informacione se kur të punësuarit në inspektorate do t’i marrin rrogat e tyre.”, - deklaroi kryetari i SPOGj-it, Tërpe Deanoski.
 
Sindikata e inspektoratit të punës: Premtime nga Qeveria për zgjidhje deri të premten
 
Vonesa e rrogave ka ndodhur për shkak të procedurës për transformimin e marrëdhënies së punës nga inspektoratet në ministri, sqaron Lulzim Farizi nga Sindikata e pavarur e inspektoratit të punës. Pas takimit të përfaqësuesve të disa sindikatave të pavarur, me Llazar Jovevskin, këshilltarin për punë të kryeministrit, kanë marrë premtime se kjo çështje do të zgjidhet deri të premten. 
 
“Nga këshilltari i kryeministrit kemi garanci se sot deri nesër do të kemi përgjigje në atë se si, sa më shpejtë të zgjidhet statusi i të punësuarve në inspektorate, me qëllim që sa më parë të marrim rroga dhe të transformohet marrëdhënia e punës.”, - theksoi Lulzim Farizi nga Sindikata e pavarur e inspektoratit të punës.
 
Po ashtu përfaqësues të sindikatës administrative dhe sindikatës së organeve gjyqësore në këtë takim kanë paraqitur kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me shtesa në rrogë dhe ligjin për pagat. Kërkesat në formë të shkruar do t’i dorëzohen ministrit të Administratës. Sindikata e të punësuarve në administratë, organet gjyqësore dhe shoqatave qytetare, ka paralajmëruar se protesta të premten do të vazhdojë para Ministrisë së Financave, ku sindikata do t’i bëjë me dije hapat e mëtejmë lidhur me këtë protestë.
 
Nga Qeveria kanë thënë se pagat nuk janë të larta, por mundësitë e buxhetit janë të kufizuara, prandaj protestat i vlerësojnë si të motivuara politikisht. Gjithashtu nga Qeveria shtojnë se protestat nuk janë mënyra më e mirë e komunikimit dhe se janë të hapur për të arritur një marrëveshje me të gjitha organizatat sindikale përmes dialogut. 
 
GYLTENE SINANI