Maqedoni

Hudolin: Mbeturinat në RMV nuk riciklohen

16.01.2025 14:04

Maqedonia e Veriut ka strategji dhe legjislacion të mirë për menaxhimin e mbeturinave...

Maqedonia e Veriut ka strategji dhe legjislacion të mirë për menaxhimin e mbeturinave, mirëpo i mungon implementimi i dispozitave ligjore dhe bashkëpunimi më i mirë i inspektorateve dhe ministrive përkatëse. Kjo u tha pas përfundimit të takimit përmbyllës të projektit për menaxhim me mbeturina i financuar nga BE. Nevojitet gjithëpërfshirje institucionale në nivel lokal, qendror, si dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për të ricikluar mbeturinat.
 
“Asnjë pjesë e mbeturinave të prodhuara në Maqedoninë e Veriut nuk riciklohet, çdo gjë përfundon nëpër deponitë e vendit. Përqindja e riciklimit në BE është rreth 50% dhe kjo do të thotë se vetëm gjysma e mbeturinave po riciklohen, ndërsa ¼ përfundon nëpër deponitë. Edhe pas shumë angazhimeve dhe investimeve shumë dekadëshe riciklimi në BE ende nuk është në nivelin që ne dëshirojmë, mirëpo pavarësisht kësaj, duhet të vazhdojmë me këtë strategji.”, - deklaroi përfaqësuesi i BE-së në Shkup, Stefen Hudolin.
 
Maznevska: Nuk kemi problem me ligjet, por me zbatimin
 
Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekologjisë thonë se vendi ynë nuk ka problem me legjislacionin, por ka problem me zbatimin e dispozitave ligjore të cilët në të shumtën e rasteve duhet të përfshijnë të gjithë për të pasur rezultate më të mira me menaxhimin e mbeturinave. Edhe faktor njeriu është duke munguar nëpër institucionet përkatëse, thanë ata.
 
“Zbatimi i legjislacionit nuk varet vetëm nga Ministria e Ekologjisë, por varet më së pari nga të gjithë qytetarët, pasi që duhet të bëjmë selektimin e mbeturinave, mandej sektorin e biznesit, si dhe ngritjen e vetëdijes për riciklim. Kapacitet e inspektoratit janë të dobëta dhe janë të nevojshme më shumë njerëz dhe ne për momentin jemi duke punuar edhe në këtë drejtim.”, - theksoi Ana Karanfillova Maznevska nga Ministria e Ekologjisë.
 
“Tuining” projekti i BE-së për “Mbështetje për implementimin e mbeturinave, legjislacioni qeverisës dhe skema e zgjeruar e përgjegjësisë së prodhuesit” është zbatuar prej 28 muajsh në bashkëpunim me fondacionin për mbrojtjen e klimës nga Hungaria, nga Republika e Austrisë, si dhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
 
REXHEP QAMILI