Futboll

Përballja e madhe Juventus–Real Madrid

05.05.2015 12:23

Vetëm 11 ditë pas shortit vjen koha për përballjen e madhe Juventus–Real Madrid, pikërisht takimin që do të celë fazën gjysmëfinale të edicionit të 60të...

Vetëm 11 ditë pas shortit vjen koha për përballjen e madhe Juventus–Real Madrid, pikërisht takimin që do të celë fazën gjysmëfinale të edicionit të 60të kompeticionit më të lavdishëm në Kontinentin e vjetër, në rang klubesh. 
 
Kur përmenden këto dy emra automatikisht theksohet edhe një fakt tepër domethënës që i prezanton këto dy klube me plot 20 pjesëmarrje në finale, në këtë aktivitet.
 
13 i takojnë Realit që është kampioni në fuqi dhe me titullin e fituar në "Da Luz" "Los Blancos" kompletuan më në fund "la decima"-n e famshme, ndërsa në krahun tjetër historia është shumë më e ndryshme dhe "Zonja e Vjetër" ka arritur të fitojë vetëm 2 nga 7 finalet e luajtura, rekord tepër negativ ky pra me 5 finale të humbura, të cilin bardhezinjtë gjithsesi e ndajnë me dy emra të tjerë të mëdhenj si Bajern dhe Benfica. 
 
Të dy ekipet e njohin shumë mirë njëri–tjetrin pasi janë ndeshur shpesh herë ndërmjet tyre, madje përballjet e fundit janë regjistruar vetëm 18 muaj më parë, në fazën e grupeve, kur Reali fillimisht fitoi 2-1 në "Santiago Bernabeu" dhe më pas barazoi 2-2 në Torino. 
 
Pasi mbrojtën me sukses titullin në Serie A futbollistët e Juventusit do të bëjnë çmos për të siguruar finalen e parë pas plot 12 vjetësh, në Champions, ose më saktë që nga sezoni 2002-03 kur klubi italian nën drejtimin e Marcello Lippi-t eliminoi pikërisht Realin e del Bosques në gjysmëfinale, duke përmbysur disfatën 2-1 të Madridit falë suksesit 3-1 në Torino.