Maqedoni

VMRO-DPMNE: LSDM të kërkojë falje për veprat e Grubit

16.01.2025 14:44

VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN kanë vazhduar me akuzat ndaj LSDM-së dhe BDI-së për rastin e arratisjes së Artan Grubit...

VMRO-DPMNE edhe një herë pyet partinë opozitare LSDM, se deri kur planifikojnë të ikin pa kërkuar falje për veprat e ish-zëvendëskryeministrit, tani në arrati Artan Grubi. LSDM duhet ta dijë se më e pakta që i detyrohet popullit është një kërkim-falje për krimet që iu lejuan t’i bënte Grubi, por edhe të distancohen nga ai, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Deri kur LSD mendon se do të ikin pa kërkuar falje për Artan Grubin? Artan Grubi bëri një krim miliona dollarësh në një qeveri kryeministri i së cilës ishte nga LSD-ja, në një qeveri ku Ministria e Brendshme drejtohej nga LSD-ja dhe një qeveri ku gjyqësori dhe prokuroria punuan nën presionin e partisë. Në një kohë të tillë nuk ka mundësi që LSD-ja të mos ketë ditur për krimin e Grubit. Është më se e qartë se e heshtën dhe tani si atëherë e heshtin dhe mendojnë se populli do t'i harrojë.”, - deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
VLEN: Grubi dhe Ahmeti i mundësuan liri Mijallkovit
 
Ndërkohë, nga koalicioni VLEN akuzojnë Artan Grubin dhe Ali Ahmetin se i kanë mundësuar lirinë të dënuarit për vepra penale, Sasho MIjallkov, të gëzojë lirinë. Të dënuarit bëjnë jetë luksoze derisa në burgje vuajnë shumë shqiptarë të pafajshëm, thonë nga VLEN.
 
Tani, nëse në kampin maqedonas publikisht jetë luksoze jashtë vendit po bën Sasho Mijallkov, në kampin shqiptar brenda dhe jashtë vendit jetë luksoze po bën nipi i xhaxhait të “fortë” – Drin Ahmeti. Drin Ahmeti si duket nuk i ka për qejfi Ferrarit pasi është parë me një makinë tjetër luksoze Rolls Royce me targa të Kërçovës, e cila kap vlerën rreth 400 mijë dollarë. Mund ta merrni me mend, po jetojmë në një vend ku politikanët e familjarët e tyre promovojnë jetë luksi derisa qytetarët bëjnë llogari si t’ia dalin me shpenzimet deri në fund të muajit.”, thonë nga VLEN.
 
BDI: Të VLEN-it janë të margjinalizuar, të injoruar, pa rol
 
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim theksojnë se VLEN-i po sillen akoma si opozitë dhe se realisht nuk kanë asnjë rol në qeverisje.
 
Të margjinalizuar dhe të papërfillur nga ata që i emëruan, ata e kalojnë ditën duke shpërndarë propagandë kundër BDI-së, për të fshehur dështimin e tyre të plotë dhe tradhtinë ndaj interesave shqiptare. Aq shumë janë të kapur nga VMRO-DPMNE-ja, saqë kanë filluar edhe të duken si ata – duke u marrë me shpifje dhe propagandë për të kaluarën, sepse nuk kanë asnjë rezultat për të treguar në të tashmen., thonë nga BDI.
 
Nga BDI theksojnë se janë të shqetësuar dhe nuk mund të heshtim për degradimin e përfaqësimit shqiptar në vetëm shtatë muaj, duke shkaktuar dëme që do të duhen vite për t’u riparuar.
 
FLORIJE KAMBERI