Maqedoni
Kuvend, Dauti dorëhiqet nga Komisioni i Politikës Sociale
16.01.2025 15:20
Konstatimi i dorëheqjes së deputetes, Ilire Dauti, ka kaluar në një atmosferë të tensionuar....

Konstatimi i dorëheqjes së deputetes, Ilire Dauti, nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ka kaluar në një atmosferë të tensionuar. Në rendin e seancës plenare të Parlamentit nuk ishte paraparë konstatimi i dorëheqjes së Dautit, deputetja Dauti përmes një procedurale kërkoi që të arsyetojë dorëheqjen e saj, ndërsa ndaj kësaj reagoi kryeparlamentari Gashi, duke thënë se në atë mënyrë shkelet rregullorja.
“Në fillim të kësaj seance nuk e konstatuat shkarkimin tim, për të cilën kam dorëzuar sot në mëngjes dorëheqje të parevokushme dhe ju ishit të detyruar që këtë seancë ta filloni me atë konstatim. Meqë nuk e bëtë, kërkoj kohën prej 15 minuta për ata arsyetuar dorëheqjen time.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti.
“Më falni, por kjo pjesë është në bazë të nenit 83 ku duhet të propozoni pika për shkak të përcaktimit të rendit të ditës. Për çështjen e dorëheqjes unë e kam pranuar pak para seancës dhe ju thash shërbimeve që ta dërgojnë te të gjithë deputetët dhe në bazë të rregullores ajo do të konstatohet.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Debati pastaj vazhdoi e u shndërrua në përplasje verbale mes grupit parlamentar të Frontit Evropian me kryetaparlamentarin, Afrim Gashi. Ky i fundit u detyrua që njëherë të japë pauzë, e pastaj t’i japë të drejtë deputetes Dauti të sqarojë shkaqet e dorëheqjes, për të konstatuar dorëheqjen e saj.
“Është e qartë se rregullorja po thyhet, megjithatë, po e bëjmë një përjashtim në këtë rast, për shkak të teatrit.”, - u shpreh kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Deputetja e Frontit Evropian tha se në bazë të votimit të mosbesimit, ajo detyrohet që të veprojë nën diktat të “Së Majtës” dhe VMRO-DPMNE-së, gjë të cilën Dauti tha se nuk do ta bëjë asnjëherë.
“E vetmja mënyrë për të mos pasur asnjë lidhje me mua në aspektin e kushtëzimit dhe dirigjimit të punës sime si deputete është parashtrimi i dorëheqjes time të parevokueshme nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj. Pra, po zgjedh të veprojë e lirë, e pakushtëzuar, për të mbrojtur sërish vlerat bazë të demokracisë, siç është liria dhe demokracia, pa mos u zmbrapsur aspak, por duke u ripozicionuar për të njëjtin qëllim.”, - deklaroi deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti.
Konstatimi i dorëheqjes së Dautit kaloi në sallë gjysmë të zbrazur, pasi atë e bojkotuan grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe “Të Majtës”. Përndryshe, dorëheqja e Ilire Dautit vjen pasi Parlamenti me 61 vota “për” dhe 22 “kundër”, ka votuar interpelancën për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Ilire Dauti, dhe miratoi konkluzën se pohimet në interpelancë janë të bazuara. Interpelanca për Dautin ishte ngritur nga deputetët e “Së Majtës”, me pretekstin se ajo e kishte bllokuar Ligjin për “branitellat”, të propozuar nga deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska. Por, nga ASh-ja e Ziadin Selës dhe BDI kanë thënë se ky komision i takon të udhëhiqet nga opozita shqiptare dhe ata përsëri do ta propozojnë për kryetare të Komisionit deputeten, Ilire Dauti.
ERSAN PAJAZITI
