Rajon

Parlamenti bullgar votoi Qeverinë e re, Rosen Zhelazkov, kryeministër

16.01.2025 15:35

Parlamenti bullgar ka zgjedhur qeverinë e re me kryeministër Rosen Zhelazkov....

Pas 7 cikleve zgjedhore bullgare në katër vitet e fundit, partia GERB e Bojko Borisovit, Partia Socialiste dhe “Ka një popull të tillë” formuan koalicion. Me 125 vota “për”, “kundër” 114 dhe asnjë abstenim, deputetët zgjodhën Rosen Zhelazkovin si kryeministër. Qeveria është mbështetur edhe nga Lëvizja për të drejta dhe liri e Ahmed Doganit. E drejta ligjore dhe zhvillimi ekonomik, në fokus të Qeverisë së re në fqinjin lindor. Vendi është në një krizë politike prej shumë kohësh, në një krizë besimi, por të gjitha këto mund t’i kthejmë me  punë në emër të interesit tonë kombëtar dhe me kritikat dhe kontrollin konstruktiv nga opozita, tha Zhelazkovi, duke falënderuar liderin e GERB-it, Borisov, siç tha ai, për largpamësinë e tij shtetërore dhe mençurinë politike.
 
“Bullgaria ka nevojë për një qeveri të rregullt për të zbatuar politika që mbështesin rendin ligjor demokratik, sundimin e ligjit, konkurrencën e ekonomisë sonë, sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave sociale të qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelazkov.
 
Problemet mes Shkupit dhe Sofjes?! Gjorçev: I dimë qëndrimet, por presim dialog
 
Pas formimit të Qeverisë së re bullgare së paku është siguruar hapësirë për dialog mes RMV-së dhe Bullgarisë, thotë për TVM2 ish-ambasadori në Bullgari, Marjan Gjorçev, sipas të cilit megjithatë qëndrimet bullgare janë shumë të kufizuara.
 
“Qëndrimet ndaj Maqedonisë i kanë të qarta dhe nuk janë edhe aq të drejtuara pozitivisht që të presim se diçka do të mund të lëvizë shumë shpejt, por është me rëndësi se do ta rifillojmë dialogun, i cili nuk ka funksionuar tre vite e gjysmë. Me dialog të hapur dhe të sinqertë, duke i nxjerr në tavolinë  të gjitha problemet që dalin  nga marrëveshja, të gjitha çështjet kontestuese dhe të them me sinqeritet dhe me respekt për interesat e të dyja shteteve, pra t’i hapim çështjet,  t’i shohim zgjidhjet që i ofrojnë të dyja palët, e atëherë do të ballafaqohemi me realitetin nëse mund të presin efekt pozitiv apo negativ, afatshkurtër, afatgjatë nga ajo marrëveshje bilaterale.”, - theksoi ish-ambasadori në Bullgari, Marjan Gjorçev.
 
Gjorçevi shton se për të ecur përpara drejt Evropës së Përbashkët,  të dyja qeveritë  fqinje duhet të vetëdijesohen dhe  kjo sipas tij  mund të arrihet vetëm me respektimin e vlerave evropiane, e që janë pikë referimi e plotësimit të dispozitave të Marrëveshjes për Bashkëpunim dhe Fqinjësi të Mirë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU